Shërbimi veterinar ka vendosur një fermë në karantinë në fshatin Maliq Muço pas një njoftimi nga Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë, lidhur me ngordhjen e disa shpendëve.
Advertisements
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ferma që është karantinuar është në pronësi të kompanisë “Rea’s”.
Advertisements
Pas ngordhjes së shpendëve, shërbimi veterinar ka marrë mostra zyrtare që janë dërguar për analiza në Laboratorin e Referencës ISUV. Aktualisht strukturat Rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë duke kryer hetimin epidemiologjik, të rastit.
Sipas raportimeve, ferma ka një total prej 227,708 krerë shpendësh, të mbarështuar në katër kapanone në pularinë e Njësisë Administrative Rashbull dhe një kapanon në Njësinë Shënavlash. Ngordhjet e shpendëve janë raportuar vetëm në një nga kapanonet e fermës, ndërkohë që hetimet për rrethanat e gripit vazhdojnë.
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të transparencës për publikun informojmë se në datën 3.3.2025 është konfirmuar me anë të testit RT-PCR sëmundja e Influencës Aviare, tipi H5N1, në vendin tonë.
Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë, se në Qarkun Durrës, në subjekti “Rea’s” shpk, me vendodhje në fshati Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, ka patur ngordhje shpendësh.
Situata mbarëbotërore lidhur me praninë dhe përhapjen e sëmundjes virusale të Influencës aviare mbetet shqetësuese, pasi kjo sëmundje ka shkaktuar dëme masive në një numër të lartë shpendësh oborresh, për prodhim, si dhe atyre të egër. Sipas Organizatave Botërore të Shëndetit të Kafshëve, asaj të Njeriut e me tej janë me qindra vatra aktive të virusit në shpendë dhe në specie të tjera.
Pas konfirmimit, është mbajtur në MBZHR, është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë menjëherë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200, datë 3.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Infuencës aviare ne shpendë, në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve e gjalla”.
Lidhur me rastin, informojmë publikun se strukturat qëndrore dhe rajonale ka vendosur fermën në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare dhe janë dërguar brenda ditës, për analizim në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar më herët në faqen zyrtare për konstatimin dhe ndjekjen e gjithë protokolleve veterinare për marrjen e masave në kohë. AKVMB ka njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës.
Aktualisht të pranishëm në terren janë strukturat veterinare Rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimin rigoroz të masave të biosigurisë, kufizimin e ekspozimit të shpendëve të tyre në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët bartës të virusit.