Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish dje mbi rrëmbimin e 3 policive të Kosovës nga Serbia. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai tha se ata duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Kreu i qeverisë shqiptare bën me dije se që prej ditë se djeshme janë 100 të fokusuar tek lirimi i tyre. Për Ramën, s’ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri. Prioritet nënvizon kryeministri Edi Rama mbetet de-eskalimi dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike, sipas kryeministrit duhet të përmbushen një orë e më parë.“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë!”, shkruan Rama. Ndërkohë, edhe presidenti Bajram Begaj ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës nga forcat serbe. Begaj e cilëson këtë një akt të rëndë provokativ, që sipas tij synon vetëm destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit. Dje, në një postim në ‘Facebook’, Begaj i bën thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë efektivët e Kosovës. “Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, shkruan Begaj.
Advertisements