Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg i ka cilësuar radikale deklaratat e fundit të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili tha se Turqia mund të ndërhyjë në Izrael.
Advertisements
Në një intervistë televizive diplomatja rikujton edhe angazhimin e Turqisë në NATO dhe rolin që do të kenë vendet e tjera për frenimin e tij.
Advertisements
Gjatë intervistës së saj, diplomatja Peleg flet për konfliktet më të cilat po përballet Izraeli, që nga sulmi i 7 tetorit, duke i vënë Hamasit, Hezbollahut dhe Hutheve- një emërues të përbashkët:
Iranin. Në anën tjetër, ajo e vë theksin te rreziku që paraqet situata në afatgjatë, kur thotë: “Nëse Izraeli bie, Europa vjen më pas. Ata tashmë janë aktivë në arenën tuaj dhe Shqipëria e di shumë mirë nga përvoja e saj.”
Sa i takon vetë rolit dhe qëndrimit të Shqipërisë zyrtare, ajo vlerëson integritetin dhe mbështetjen e dhënë.
“Shqipëria e ka dëshmuar në të kaluarën, dhe e dëshmon sërish çdo ditë, se madhësia nuk ka rëndësi, por janë vlerat tuaja ato që përcaktojnë se kush jeni”, thotë Peleg.
Advertisements
-Që nga 7 tetori duket se Izraeli po përballet me kohë të vështira. Si kanë qenë këta muaj për Izraelin dhe për diplomacinë e tij?
Sulmi i tmerrshëm terrorist i 7 tetorit ndryshoi shumë gjëra në Izrael. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 muaj që nga sulmi, efektet e tij janë shumë të pranishme në Izrael në pothuajse çdo aspekt; para së gjithash, ne kemi qindra anëtarë të familjeve që presin që të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi, dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur sepse shtëpitë e tyre janë djegur ose bombarduar dhe kemi qindra ushtarë që ende luftojnë në Gaza. Por edhe pjesa tjetër e vendit nuk është e njëjtë.
Shumë biznese u mbyllën për shkak të luftës dhe prindërit duhej të gjenin shkolla të përkohshme për fëmijët e tyre, Hezbollahu po lëshon raketa dhe dronë të armatosur drejt veriut të Izraelit. Si mund të kthehet dikush në jetën që kishim para tetorit kur kaq shumë jetë civilësh janë ende në rrezik? Kjo situatë sjell shumë mosmarrëveshje politike në Izrael në lidhje me masat që duhet të marrë qeveria, dhe megjithëse shoqëria civile është jashtëzakonisht mbështetëse, arena politike është mjaft e trazuar.
– Pengjet nuk janë liruar ende. Disa prej tyre u gjetën të vdekur së fundmi. Ndërkohë, familjarët dhe protestuesit në shumë vende bëjnë thirrje për armëpushim. Si po punon diplomacia për të gjetur një rrugë drejt paqes?
Që nga fillimi i luftës në Gaza më 8 tetor, Izraeli e bëri shumë të qartë se qëllimet kryesore janë lirimi i pengjeve dhe shkatërrimi i kontrollit të Hamasit në Gaza. Ne gjithashtu thamë dhe vazhdojmë të themi, se përfundimi i luftës është në duart e Hamasit. Po të lironin pengjet sot, lufta do të përfundonte sot. Por Hamasi jo vetëm që nuk është i interesuar të lirojë pengjet dhe t’i japë fund luftës, por udhëheqësit e tij nuk kujdesen as për vuajtjet e palestinezëve në Gaza. Kur udhëheqësit e Hamasit vendosën të sulmonin komunitetet civile paqësore izraelite, ata e dinin se Izraeli do të përgjigjej. Ata nuk përgatitën asnjë mbrojtje për civilët në Gaza.
Ata hynë në Izrael, bastisën shtëpitë e njerëzve gjatë festës së tyre, vranë familje, fëmijë, gra, foshnja, përdhunuan burra dhe gra e morën pengje.
Por kur Izraeli u përgjigj siç do të bënte çdo vend normal sovran, ata filluan të kërkonin armëpushim. Mos më keqkuptoni: unë i kuptoj ata izraelitë dhe të tjerët që bëjnë thirrje për armëpushim në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve. Unë besoj se qeveria jonë do të nënshkruante për këtë në sekond. Por këtu është dilema: Hamasi nuk ofron një lirim të plotë e të menjëhershëm të të gjithë pengjeve; Hamasi refuzon të japë (per enclose) detajet e pengjeve që mban, nuk jep emrat e tyre, madje as sa prej tyre janë gjallë.
Pa dyshim, shqetësimi kryesor është shpëtimi i të gjithë pengjeve që janë gjallë dhe sjellja e tyre në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur. Sfida tjetër është zvogëlimi i kërcënimit me terror nga Gaza ndaj qytetarëve izraelitë në jug të Izraelit. Ka një negociim të vazhdueshëm të udhëhequr nga zyrtarë shumë me përvojë dhe të përgjegjshëm, përfshirë kreun e Mossad. Mendoj se duhet t’i lëmë të punojnë. Një armëpushim pa kushte nuk është zgjidhja.
-Një sulm me raketa në Lartësitë e Golanit ka lënë 12 të vdekur këtë javë. Zona është e banuar nga Druzët, një komunitet i veçantë për nga feja dhe kultura që ata mbartin. Si është realisht situata atje?
Të shtunën e kaluar 12 fëmijë të vegjël dhe adoleshentë u vranë me gjakftohtësi, të goditur nga një raketë, lëshuar nga përfaqësuesi i terrorit të Iranit, Hezbollahu. Fëmijë që po luanin futboll të shtunën në mëngjes. Mëkati i tyre? Jetonin në Izrael. Kjo tragjedi i ndodhi pakicës Druze në Izrael, por dhemb në të gjithë Izraelin. Ata janë qytetarë të Izraelit dhe pjesë e shoqërisë diverse izraelite.
Udhëheqësit e komunitetit Druz zgjodhën të bashkëpunojnë me shtetin e Izraelit që nga themelimi i tij në 1948, dhe ata kanë qenë qytetarë besnikë dhe kontribuues që atëherë. Shumë prej tyre shërbejnë në forcat ushtarake dhe policore, të tjerët i shërbejnë vendit të tyre si diplomatë. Ne jemi vëllezër dhe motra. Por fëmijët janë fëmijë qofshin hebrenj, druzë, myslimanë apo të krishterë. Por për terroristët ata janë një objektiv legjitim. Vrasja e këtyre fëmijëve të pafajshëm është tragjedia më e tmerrshme që ka ndodhur në Izrael që nga tetori dhe ne dëshirojmë t’i ngushëllojmë vëllezërit tanë druzë dhe t’u japim atyre të gjithë mbështetjen.
-Ajo që ishte një luftë kundër Hamasit ka krijuar konflikte të reja, apo ringjalljen e tyre. Libani, Hezbollahu dhe Irani në një anë- dhe tani duket, sipas një deklarate të presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoğan, edhe Turqia mund të ndërhyjë. Si e shihni këtë deklaratë? Çfarë po ndodh? Dhe çfarë do të bëjë Izraeli për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit?
Para se të flasim për Turqinë, më lejoni t’i referohem të gjitha fronteve që përmendët dhe me të cilat Izraeli është i detyruar të përballet që nga tetori. Hamasi në Gaza, Hezbollahu në Liban dhe Houthi në Jemen, të gjithë kanë diçka të përbashkët: ne e dimë, dhe e gjithë bota e di shumë mirë, se të gjithë ata janë përfaqësues të Iranit.
Regjimi terrorist në Iran po i armatos dhe i trajnon ata. Ne gjithashtu e dimë, siç e përmendi me të drejtë kryeministri Netanyahu në fjalimin e tij në Kongres të mërkurën e kaluar, se Izraeli është vetëm fillimi, tamponi, nëse dëshironi. Nëse Izraeli bie, Europa vjen më pas. Ata tashmë janë aktivë në arenën tuaj dhe Shqipëria e di shumë mirë nga përvoja e saj. Më 7 tetor, Hamasi lëshoi qindra raketa në Izrael, ndërsa monstrat e tij depërtuan në Izrael dhe filluan sulmin e tyre më vdekjeprurës. Në të njëjtën kohë Hezbollahu filloi të sulmonte Izraelin nga veriu dhe deri më sot ata kanë lëshuar mbi 6800 raketa duke shkaktuar 43 viktima, nga të cilat 23 civilë. Huthit në Jemen, ndërsa sulmonin anijet në det, filluan të lëshonin raketa drejt Izraelit, duke përfshirë një raketë që vrau një burrë në Tel Aviv 12 ditë më parë. Është mjaft tronditëse se si një demokraci sulmohet çdo ditë dhe bota hesht.
-Turqia e përfshirë në konflikt, ku e çon situatën?
Sa i përket Turqisë dhe deklaratave radikale të presidentit të saj; shikoni, Erdogan dëshiron të tregojë se është i përfshirë, se është mbrojtësi i palestinezëve. Ai mund të kishte pasur një rol pozitiv në këtë konflikt. Si një vend i madh që ndodhet gjeografikisht dhe politikisht midis lindjes dhe perëndimit, midis Evropës dhe botës myslimane, ai mund ta kishte përdorur këtë pozicion si ndërmjetës. Fatkeqësisht, ai zgjodhi të prezantohej sërish si një radikal, si një aktor nxitës.
Fillimisht duke mirëpritur liderët e Hamasit në Ankara dhe tani me këto deklarata antisemite. Si anëtar i NATO-s, besoj se do të veprojë në mënyrë të përgjegjshme. Besoj gjithashtu se anëtarët e tjerë të NATO-s do të dinë ta frenojnë atë nëse ai do të vendosë të ndërmarrë veprime në frymën e fjalëve të tij. Meqë ra fjala, Turqia duket se ka një kujtesë shumë të shkurtër, pasi vetëm në shkurt të vitit të kaluar, vetë Erdogan po lavdëronte Izraelin dhe personalisht u dorëzoi medalje mirënjohjeje oficerëve të IDF-së që shpëtuan civilët turq pas tërmetit të tmerrshëm në Turqinë jugore…
-Izraeli ka kaluar nëpër një kalvar të gjatë për t’u bërë ai që është. Ruajtja e lirisë nuk është e lehtë, është një detyrë e përditshme. E njëjta gjë vlen edhe për ruajtjen e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Si mund ta bëjë Izraeli këtë në kushte lufte? A po shterrohen të gjitha mundësitë që lufta të mos dëmtojë të pafajshmit?
Izraeli është një demokraci, me kontrolle dhe balanca dhe kjo vlen jo vetëm për qytetarët e tij. A e dini, për shembull, se një palestinez që jeton në Bregun Perëndimor dhe nuk ka nënshtetësi izraelite, ka të drejtë të ankohet në gjykatën supreme për raste të të drejtave të njeriut? Meqenëse të drejtat e njeriut janë një çështje thelbësore në Izrael, gjithashtu ushtria mbikëqyret shumë nga sistemi ligjor. Besoj se në shumë raste shumë më tepër se ushtritë e tjera. Çdo njësi operative shoqërohet nga staf ligjor ushtarak që këshillon se si e lejon ligji ndërkombëtar të veprojë. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë çështjen e ndihmave humanitare që hyjnë në Gaza. Gjatë gjithë operacionit COGAT, njësia koordinuese e IDF(Forca e
Mbrojtjes së Izraelit) është e koordinuar me çdo organizatë ndërkombëtare apo subjekt të huaj që dëshiron të dërgojë ndihma humanitare në Gaza. Asnjë dërgesë ushqimi, uji apo ilaçesh nuk është ndalur deri më sot. Ka pak ditë, përfshirë javën e kaluar, që Hamasi po lëshonte raketa duke synuar vendkalimet për të penguar hyrjen e kamionëve. Por asgjë nuk ndalohet nga IDF. Meqë ra fjala, lexuesit tuaj nuk duhet t’u besojnë fjalëve të mia, gjithçka që duhet të bëjnë është të hyjnë në faqen e internetit të COGAT dhe të shikojnë kalimet drejtpërdrejt përmes kamerave. Që nga fillimi i operacionit të IDF në Gaza, Izraeli krijoi zona të sigurta për civilët në Gaza për të lëvizur të sigurt.
Fatkeqësisht, në shumë raste terroristët e Hamasit abuzuan me këto korridore humanitare për të kontrabanduar armë dhe i penguan civilët t’i përdorin ato, në mënyrë që të mund të përdoren si mburoja njerëzore. Unë e di një fakt, se për fat të keq, disa prej ushtarëve tanë më të mirë humbën jetën për të mbrojtur këta civilë palestinezë. Por kjo është mënyra se si ne veprojmë. Kështu, njerëzit pyesin, atëherë si ka mundësi që të ketë viktima në mesin e civilëve në Gaza? Dhe përgjigja është shumë e thjeshtë: së pari kjo është një luftë. Dhe sado e trishtueshme që tingëllon, njerëzit vdesin në zonat e luftës. Por gjithashtu, arsyeja është se Hamasi as që po përpiqet të mohojë se ata jo vetëm që nuk kujdesen për njerëzit e tyre, por i përdorin brutalisht! Ata fshihen mes civilëve në shtëpitë e tyre, kanë fshehur armët nën shkolla, në spitale. Edhe nën shtretërit e foshnjave.
-Izraeli ka shumë aleatë por edhe shumë kritikë. Si i shihni kritikat?
Izraeli ka shumë aleatë dhe ne jemi mirënjohës për secilin prej tyre. Për fat të keq për disa vende është më e përshtatshme të mbeten miq “në dollap” për sa kohë që ka një luftë në vazhdim. Por shumica e botës së lirë e kupton, se ne jo vetëm po luftojmë për ekzistencën tonë, por edhe se Izraeli është tampon për Evropën. Unë mendoj se tani, më shumë se kurrë, Izraeli ka miq, duke përfshirë miq të rinj në botën arabe, që e kuptojnë se Izraeli po lufton edhe luftën e tyre gjithashtu. Shqipëria e ruajti integritetin e saj dhe e tregoi mbështetjen e saj gjatë gjithë rrugës. Që nga 7 tetori, qeveria e Shqipërisë ishte shumë e qartë në çdo forum për të dënuar Hamasin dhe Iranin dhe për të qëndruar pranë Izraelit kundër terrorit.
Miqtë nuk duhet të bien dakord për çdo temë, por kur përballemi me një çështje si rritja e terrorizmit dhe rritja e antisemitizmit që kemi parë në disa kryeqytete të Evropës, ata duhet të qëndrojnë të patundur. Në një nga vizitat e tij në Izrael, dëgjova kryeministrin Rama të thoshte se kur lufton antisemitizmin, nuk ka të bëjë me çifutët, ka të bëjë me atë se kush je TI. Dhe Shqipëria e ka dëshmuar në të kaluarën, dhe e dëshmon sërish çdo ditë, se madhësia nuk ka rëndësi, por janë vlerat tuaja ato që përcaktojnë se kush jeni. Dhe kur aleatët tuaj janë në nevojë, ju mbështesni luftën e tyre të drejtë. Shikoni, Izraeli, si çdo demokraci tjetër, dëshiron të jetojë në paqe dhe në qetësi me fqinjët.
Ne duam që fëmijët tanë të jenë të sigurt dhe duam të vazhdojmë të përparojmë dhe të dalim në tituj mediash për arritje në inovacion dhe teknologji, për kërkimet dhe zhvillimet në ilaçe dhe siguri ushqimore, jo për fëmijët e vdekur në asnjërën anë. Pesë dekada më parë, kryeministrja e ndjerë izraelite, Golda Meir, tha se paqja do të vijë kur arabët do t’i duan fëmijët e tyre më shumë sesa neve. Unë dua të besoj se në 2024, shumica prej tyre e bëjnë, por radikalët që promovojnë terrorin duhet të ndalohen. Dhe jo vetëm nga Izraeli.