Kutitë e zeza të avionit të pasagjerëve që u rrëzua në Korenë e Jugut muajin e kaluar, duke i marrë jetën 179 personave, ndaluan çdo regjistrim 4 minuta përpara se ai të bënte një ulje emergjente e të shpërthente në pistë.
Advertisements
Zyrtarët që po hetojnë aksidentin më vdekjeprurës të aviacionit prej pothuajse tre dekadash në këtë vend, kishin shpresuar që informacionet e përftuara nga regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe ai i zërit në kabinë do të hidhnin dritë mbi arsyet përse fluturimi 7C 2216 i kompanisë Jeju Air, i nisur nga Bangkoku, u gjend në vështirësi duke bërë një zbritje të vështirë e duke shpërthyer në fund në një lëmsh flakësh pas përplajes me një mur në fund të pistës së fluturimit.
Advertisements
Fatkeqësitë i mbijetuan vetëm dy persona. Ministria koreano-jugore e transportit njoftoi megjithate se kutitë e zeza kanë reshtuar së funksionuari rreth katër minuta përpara rrëzimit.
Në deklaratën e saj theksohet se është e paqartë përse pajisjet ndaluan papritur regjistrimin, e thuhet se do të vazhdojë puna për të përcaktuar shkakun e këtij fenomeni.
Ka ende shumë të panjohura se çfarë e shkaktoi aksidentin e rëndë. Hetuesit fillimisht u përqëndruan tek mundësia e përplasjes me një tufë zogjsh si arsyeja përse piloti humbi kontrollin e avionit.
Por ndërkohë mbetet ende e paqartë se përse nuk aktivizuan rrotat e uljes së avionit. Piloti kishte dërguar një sinal alarmi pak përpara se avioni të dilte nga pista./tch