Rruga Tiranë-Durrës dhe Unaza e Madhe/ Ekspertët paralajmërojnë: Mungesa e ndriçimit shkakton aksidente dhe stres në …

Errësira vazhdon të mbizotërojë në disa nga akset kryesore të vendit duke u bërë shpesh shkak aksidentesh.

Advertisements

Kjo është rruga interurbane Tiranë-Durrës, e ashtuquajtur autostradë. Në pjesën dërrmuese të saj është e pandriçuar.

Advertisements

Edhe një pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, siç duket nga pamjet është në errësirë. Shumë rrezikshmëri paraqet mungesa e ndriçimit në akset Fier-Lushnje dhe Lushnje-Rrogozhinë.

Edhe rrugët e Lezhës kanë ndriçim të pamjaftueshëm. Ky është aksi Laç- Lezhë.

Ekspertët e sigurisë rrugore thonë se mungesa e ndriçimit është një nga elementet kryesorë dhe kritikë për sigurinë rrugore që vazhdon të shkaktojë aksidente natën.

“Na ndodhin aksidente përditë, nuk po përballohet dot nga ekspertët shqyrtimi i aksidenteve rrugore, ekspertimet dhe riekspertimet. Në shumë akse të rrugëve interurbane po ashtu edhe në autostrada, ne kemi probleme, apo në hyrje apo degëzime, vazhdojnë të ndodhin aksidente. Kemi parë se një nga elementet kritikë është mosndriçimi i segmenteve rrugore”, tha Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore.

“Aksidentet janë më të pranishme në këto segmente rrugore ku ndriçimi është i pamjaftueshëm”, tha Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore.

Lëvizja pa ndriçimin e duhur përveç se bëhet burim aksidentesh përkthehet edhe në stres për drejtuesit e mjeteve.

“Nëse këtu do marrim rrugën nga Vlora në Tiranë, hajde natën, ne jemi profesionistë që kemi bërë qindra mijëra kilometra dhe përsëri lodhemi dhe kthehet në stres rruga”, tha Hodo.

Ekspertët thonë se për të zvogëluar mundësitë e ndodhjes së aksidenteve gjatë natës duhen marrë masa të menjëhershme.

“Duhet bërë një auditim dhe inspektim i sigurisë rrugë, Autoriteti Rrugor duhet të bëjë një inventar nga Saranda në Tropojë, apo nga Korça në Durrës, të themi cilat janë pikat kritike, të pandriçuara mirë. Duhet të mblidhemi në një tavolinë të përbashkët”, tha Hodo.

“Kemi disa akse rrugore ku është i domosdoshëm ndriçimi për shkak të fluksit të madh të lëvizjes së automjeteve… Duhet patjetër edhe delinatorë, retroreflektore për të përcaktuar kufijtë e rrugës dhe drejtimin e lëvizjës së automjeteve”, tha Qibini.

Në vitin 2024 nga Janari deri në Nëntor 16.4% e aksidenteve kanë ndodhur nga ora 19:00 deri në orën 24:00, përqindje kjo në rritje në krahasim me një vit më parë.