Sa do kushtojë buka? Nga 1 nëntori çmimi i energjisë rritet 15% në orët e pikut të furrave

by editor

Nga 1 Nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.
Sipas vendimit të ERE-s, çmimi i energjisë elektrikë për 4 orë të pikut të prodhimit të bukës do të rritet 15%, për të treja kategoritë e çmimeve aktuale sipas llojit të aktivitetit të furrës së bukës.

Advertisements

Ndryshimi i çmimit të energjisë për oraret e pikut te furrat e bukës mbështetet te pika 2 e Vendimit nr. 72, datë 15.04.2024 “Mbi përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për kategorinë e klientëve “furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

Advertisements

Pika 2 e vendimit, tashmë që ka hyrë në fuqi parashikon se çmimi i energjisë aktive në orar piku do të jetë, si: Kategoria I – Vetëm Furra Buke/Prodhim mielli që paguajnë 7.6 lekë/kWh në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 8.74 lekë/kWh.

Kategoria II – Furrë Buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri nga 9.5 lekë në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 10.93.

Kategoria III – Furre Buke, Produkte Mielli shoqëruese, Pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres) çmimi nga 12 lekë do të jetë në 13.8 lekë/kWh.

Sipas vendimit orari pik gjatë të cilit do të aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar në pik është: Për periudhën 1 Nëntor- 31 Mars nga ora 18:00-22:00. Për periudhën nga 1 Prill-31 Tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.

Prodhuesit pohojnë se tashmë faturat ju kanë ardhur për faturim me dy fusha. Disa furra buke të kontaktuar nga Monitor pohuan se rritja e çmimit të energjisë orarin e pikut rrit detyrimin për faturën mujore të energjisë të paktën 18%. Sipas tyre nëse nis aplikimi pritet të ndikojë te çmimi i bukës.

Për rrjedhojë nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave nëpërmjet letrave dërguar ERE dhe OSHEE është kërkuar pezullimin e menjëhershëm i tarifës shtesë në oraret e pikut.

“Kohët e fundit në disa furra buke është aplikuar një tarifë shtesë e pagesës së energjisë në ( Oraret e Pikut). Reaguam ashpër me dy letra të nisura Kryetarit të ERE-së dhe Administratorit të Përgjithshëm të OSHEE-së dhe për dijeni Ministres Infrastrukturës dhe Energjisë Znj. Belinda Balluku .

Dje lidhur me këtë problem, Kryetari dhe N/Kryetari i Shoqatës bënë një takim me Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE-së, Z. Enea Karakaci ku u kërkua pezullimi i menjëhershëm i tarifimit shtesë në “Oraret e Pikut ” për furrat e bukës. Në takim u mor përsipër trajtimi dhe zgjidhja i këtij problemi me institucionet përkatëse, si dhe u diskutua ecuria e deritanishme e sistemimit të furrave të bukës sipas fashave përkatëse”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave.

Ndër të tjera vendimi i miratuar nga ERE në muajin prill 2024 vendosi aplikimin për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti i furrave të bukës.

Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kWh.

Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kWh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.

Më përpara, sipas vendimit të miratuar nga ERE në 2018, vetëm furrat e bukës dhe prodhimit të miellit për tension 0.4 kv paguanin një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekë/kWh. Ndërsa për bizneset të në tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 14 lekë për kWh. Por pavarësisht vendimit të mëparshëm aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar- kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë./Monitor

You may also like