Sadikaj do hakmerrej për plagosjen e kushuririt, “Sky Ecc” zbulon planin për vrasjen e Ari Papës

Ari Papa me origjinë nga fshati Dhivër i Sarandës, por rritur në Greqi, është ndoshta një nga personazhet më kontrovers të grupeve kriminale shqiptare në Greqi.

Advertisements

I përfshirë në dhjetra ngjarje, herë si autor e herë si viktimë, ai ndërroi jetë pas një atentati të mirëorganizuar pasditen e 30 majit 2021 teksa pinte kafe në një lokal në “Sepolia” në Athinë.

Advertisements

Para se të vritej, ai i kishte shpëtuar 3 atentateve në 20 korrik 2007, 26 maj 2019 dhe 26 shkurt 2021. Përmes zbulimit të mesazheve në aplikacionet “Sky Ecc” dhe “Encrochat”, policia greke zbuloi se pas atentatit të 26 shkurtit 2021 në “Stacionin e Larisës” në Athinë, fshihet pikërisht Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar me eksploziv në automjetin e tij në vitin 2022 në Tiranë.

Në fakt ky atentat ndodhi vetëm një ditë pasi Ari Papa ishte arrestuar nga policia greke mbi një patinë elektronike, i veshur me anti-plumb dhe me një pistoletë turke “Baikal” në brez, por që u lirua brenda pak orëve.

DOSJA “Sky Ecc”, ngjarja 26.02.2021

“Gjatë analizës së mesazheve të aplikacionit “Sky Ecc”, doli në pah roli aktiv i Aleksandër Sadikaj ose Aleksandër Kalemi dhe Denis Grabocka në një tentativë vrasjeje, të ndodhur më 26/02/2021, ndaj shtetasit shqiptar Aristidis Papas ose Ari Papa.

Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjes e datës 14.12.2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si “Giannakis”, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16-vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Viljan Boraj.

Aleksander Sadikaj, ishte orkestruesi i sulmit dhe roli i Denis Grabockës, ishte të jepte informacion për lëvizjet dhe zakonet e objektivit, duke shkuar personalisht në vendet e frekuentuara prej tij, për të dhënë një “sinjal” – shkas, për autorët që ishin të armatosur dhe të vendosur në zonë, ndërsa ditën që ndodhi sulmi, largoi, siç shihet në mesazhe, një nga autorët fizikë Viljan Boraj, për të shmangur arrestimin. Më datë 16.01.2021, Denis Grabocka ka marrë në emër të Aleksandër Sadikaj, në vend dhe kohë të panjohur, nga një furnizues i panjohur, një armë ushtarake të tipit snajper me dioptra, duke ia dërguar foton, të cilën në fakt ua ka dorëzuar ekzekutorëve në një hotel ku po përgatisnin planin e tyre. Madje arma ishte vendosur në një ballkon me pamje nga një shesh, ku viktima frekuentonte dhe ishte vendosur në një distancë prej 100 metrash, por nuk arritën ta kishin viktimën në distancë të qitjes.

Më në fund, edhe pas atentatit të dështuar të datës 26/02/2021, në të cilin viktima u plagos me armë, përgatitja e një sulmi të ri vazhdoi me një plan të hartuar nga Aleksandër Sadikaj, duke kërkuar ndihmën e Denis Grabockës për përgatitjen, përkatësisht caktimin e një ekzekutori të cilit viktima i besonte dhe meqenëse ata takoheshin ndonjëherë në një nivel miqësor, në kohën e duhur ta vriste. Në fakt, Grabocka mori përsipër dhënien me qira të një shtëpie në zonën e Kipselit për autorin dhe familjen e tij, ndërsa deri në ditën e fundit të mesazheve u fol për nevojën për të arritur vrasjen e viktimës”.

Kush ishte Ari Papa, zbardhen detaje nga veprimtaria kriminale e tij

Ari Papa nuk ishte shënjestër vetëm e Aleksandër Sadikajt. Veprimtaria e tij kriminale e nisur qysh në moshë të vogël, e ka bërë atë herë autor e herë objekt atentatesh, pa përmendur këtu veprimtarinë e tij në ngjarje të tjera si grabitje apo trafik droge.

Në fillim të viteve 2000, një grup i madh shqiptarësh, kryesisht të rinj që më pas do të ktheheshin në vrasës, organizuan një bandë prej 20 personash me qëllim trafikimin e drogës. Pas prishjes së pazarave mes tyre, grupi u nda në dy pjesë. Në këtë moment ndërmjet tyre filloi një luftë e ashpër për kontrollin e trafikut të drogës që përfundoi me vrasjen e të gjithë anëtarëve të njerit grup përvec një prej tyre që u arrestua në qershor 2007, ndërsa nga grupi tjetër mbetën 5 persona, 4 u arrestuan në 2008 dhe njëri u shpall në kërkim. Pjestar i këtyre grupeve kriminale ishte edhe Ari Papa, i cili deri sa u vra ishte arrestuar disa herë për grabitje, armëmbajtje pa leje e trafik droge, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë si autor edhe në vrasje.

Në 20.07.2007 u krye atentati i parë ndaj Ari Papës. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski.

Në 26.05.2019, ai u qëllua rreth orës 20.40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi nga rreziku për jetën. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane.

Ne 26.02.2021, aty ku u godit në 2019, pikërisht në “Stacionin e Larisit”, goditet përsëri. Ishte ora 20.00 kur Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur ndaj tij u hap zjarr. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku sërish i shpëtoi vdekjes.

Në 30.05.2021, pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjecari Ari Papa u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia. Për shkak të plagëve ai ndërroi jetë. Për vrasjen e tij, në mars 2023 policia arrestoi vetëm dy persona që dyshohet se kishi shërbyer si ndihmës të autorëve. Bëhet fjalë për taksistin shqiptar, 47-vjecarin Juljan Ymeri, i cili përdor edhe emrat Ervin e Beniamin dhe mbiemrat Rexhepi e Bethanov dhe një barist grek, ndërsa ekzekutori mendohet se ka ardhur nga Shqipëria dhe nuk është identifikuar.

Ari Papa në konflikt edhe me Klod Carën

Ari Papa ishte vënë në shënjestër edhe nga Klodian Lekoçaj alias Klod Cara, aktualisht i burgosur për dhjetra ngjarje kriminale në Greqi, kryesisht vrasje, disa prej tyre me pagesë.

Në dëshmine e 19 marsit 2019 të gardianit Antonis Aravantinou, doli emri i Ari Papës.

“Më kujtohet një kohë në mesin e vitit 2017, kur në komunitetin e të burgosurve dhe te psikiatrisë u bë më e njohur se Lekocaj kishte njëfarë lidhje me Floro, gjë që ishte arsyeja që Floro të qëndronte në një institucion psikiatrik.

Gjatë asaj kohe më telefonoi Lekocaj dhe duke konfirmuar përfshirjen, më kërkoi shpjegim se pse Floro qëndron në spitalin psikiatrik dhe unë nuk e dëboj, përkundrazi e mbroj atje, për pasojë ai nuk mund ta shantazhonte dhe t’i merrte paratë e tij. Dhe sipas tij duhet ta bëja patjetër këtë. Unë i thashë “hej, e ke filluar sërish të njëjtën gjë?”, “të njëjtën gjë që thoje për A. P ”? Ia thashë këtë, sepse disa kohë më parë më kishte marrë sërish në telefon dhe më kishte thënë që ta nxirrja nga spitali psikiatrik këtë të burgosur, se atje kam mësuar t’i mbrojë dhe ai nuk mund ta vriste atje. Dhe nëse nuk e nxjerr jashtë, ai do të detyrohet të vrasë nënën e tij dhe ky do të jetë faji im. Të dyja herët, është e vërtetë, biseda jonë përfundoi me sharje nga të dyja palët, me refrenin e vazhdueshëm të Lekocajt: “Unë për hatrin tënd them kështu”.

Ne 1 qershor 2021, “Ta Nea” zbuloi se A. P për të cilin Klodian Lekocaj kërcënonte gardianin se nëse nuk e nxirrte nga psikiatria që ai ta vriste, se ndryshe do detyrohej t’i vriste nënën, ishte pikërisht Ari Papa.