Liberalizimi i vizave ka nxitur interesin e serbëve lokalë për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës. Sipas mediave në Prishtinë, që prej 1 janarit kur liberalizimi hyri në fuqi, numri i aplikimeve nga komuniteti serb është dhjetëfishuar, çka duket është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Advertisements
“Gjatë vitit 2024, në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë aplikuar 325 serbë, Zveçan 69, Zubin Potok 94 dhe Leposavic 90 aplikues. Ndërsa gjatë vitit 2021, 2022 dhe 2023, numri i aplikimeve në këto komuna ishte 52”, thanë burime të saj. Një i ri serb shprehet se e konsideron një mundësi mjaft të mirë atë të udhëtimit me pasaportën e Kosovës.
Advertisements
“Do të kemi dy dokumente, akoma edhe më mirë”, ka thënë ai për TËVË 1. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen. Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.