Sot në Loznicë është mbajtur funerali i policit serb, Nikola Krasmanoviç, i cili u vra nga Faton Hajrizi.
Advertisements
Shumë bashkëqytetarë dhe njerëz nga e gjithë Serbia morën pjesë në ceremoninë mortore, e cila u mbajt në fshatin Jarebicë.
Advertisements
Në funeral mori pjesë edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç.
Krasmanoviç u vra mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa kolegu i tij Vjekoslav Iliç mbeti i plagosur rëndë kur gjatë një kontrolli rutinë ndaluan një automjet me targa të Tutinës, ku ndodhej edhe Faton Hajrizi, i cili më pas qëlloi Krasmanoviçin dhe Iliçin.
Hajrizi po udhëtonte në Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artani, të cilit ia kishte vjedhë pak para se të arratisej nga Gjermania. Pas vrasjes së oficerit të policisë, Hajrizi ishte në arrati, por u identifikua nga një qytetar, i cili lajmëroi Policinë. Sipas qytetarit, Fatoni e kishte pyetur se cila ishte rruga për në Mal të Zi.
Menjëherë pas telefonatës forca të shumta policie shkuan në vendngjarje, ku dhe ekzekutuan Faton Hajrizin ditën e djeshme. Sipas Policisë, Hajrizi hapi zjarr ndaj tyre dhe ata qëlluan për vetëmbrojtje.
Daçiç gjatë një deklaratë për shtyp njoftoi se kërkoi edhe ekstradimin e vëllait të Fatonit, Artan Hajrizit nga Gjermania.
Ndërkohë ngjarja e ndodhur në Serbi ka shkaktuar reagime në Kosovë.
Sipas Ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve të Kosovës në territorin e Serbisë. Haxhiu ka bërë thirrje të nis një hetim ndërkombëtar.
Sipas saj, shteti i Serbisë po organizon arratisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.
“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.
Përveç Hajrizit, i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës, në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.
Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.
“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”, shkroi ajo.
Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.