Shpopullim ALARMUES në Tiranë: 22% e të rinjve largohen nga kryeqyteti

Tirana është i vetmi qark në vend që njohu një rritje të lehtë të popullsisë me 1.2%, ndërmjet 2011 dhe 2023, por nga ana tjetër ka pësuar rënie të mprehtë të popullsisë së re në moshë 15-19 vjeç.

Advertisements

Sipas të dhënave nga Cens 2023 qarku i Tiranës kishte 158,288 persona të moshës 15-29 vjeç, nga 202 mijë që ishin në vitin 2011 me rënie gati 22 %.

Advertisements

Rritja e popullsisë së përgjithshme dhe rënia e mprehtë e të rinjve tregon për një ndryshim të strukturës së popullsisë në favor të plakjes së popullsisë. Ky tregues është një sinjal i fortë për trendët e konsumit të qarkut më të rëndësishëm në vend.

Për dekada me radhë Tirana është qarku që ka shërbyer si qendër graviteti për të rinjtë e të gjithë vendit, për shkak se ka korpusin universitar publik më të madhin në vend.

Të rinjtë që vijnë për studime në Tiranë zakonisht zgjedhin të mos kthehen më në vendet e origjinës dhe të bëhen banorë të Tiranës dhe të jenë konsumatorët më të mëdhenj të banesave të reja.

Po gjatë dekadës së fundit kostot e jetës në Tiranë janë rritur më shpejt se pagat për të rinjtë, kështu që të rinjtë nga rrethet janë duke e përdorur kryeqytetin si një trampolinë për të emigruar në vendet e tjera.

Studentët po qëndrojnë në Tiranë sa për të përgatitur infrastrukturën, kurset gjuhet e huaja dhe kualifikimet teksa tentojnë të ikin me kontrata pune jashtë vendit.

Largimi i të rinjve ka qenë si një pandemi për Shqipërinë e tranzicionit dhe ky është dëmi më i madh që i shkaktuar sidomos perspektivës së zhvillimit.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Elbasani kishin rënien me të madhe të rinjve që nga viti 2011.

Gjirokastra që është edhe qarku më i plakur i vendit u përball me rënien më të fortë të numrit të rinjve ndërmjet dy censeve me 55%.

Në vitin 2023 në këtë qark u numëruan rreth 7 mijë persona në grup-moshën 15-29 vjeç nga rreth 17 mijë që ishin në vitin 2011.

Në qarkun e Fierit rënia ishte 53.5%, duke e çuar numrin e tyre në 38 mijë më 2023 nga 71 mijë që ishin në 2011. Lezha gjithashtu kishte rënie me 49 për qind i ndjekur nga Elbasani po në këtë masë.

Normat e emigrimit të rinjve në Shqipëri në 10 vitet e fundit kalojnë edhe vendet që kanë përjetuar lufta të përgjakshme, atyre që jetojnë në diktuara ekstreme dhe vendeve tmerrësisht të varfra.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se nga viti 2013 në 2023 në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18-vjeç. Në vlerë absolute kjo shifër ishte e pesta në botë, por, në raport me popullsinë, Shqipëria kishte normën e dytë më të lartë në botë të azilkërkuesve nën 18 vjeç në BE, me 241 të rinj për 10 mijë banorë, pas Sirisë./ Monitor.