Si Klotilda Bushka porositi kushërirën e saj se çfarë duhet të thoshte prokurorëve specialë, njëri nga takimet është…

Shqipëria po përballet me një skandal të rëndë korrupsioni, ku fijet e pushtetit lidhen ngushtë me përpjekjet për të manipuluar drejtësinë dhe për të heshtur dëshmitarët. Deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherësh kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjit, është vënë nën hetim nga SPAK për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Në një rrjet të ngatërruar mes interesave politike dhe korruptive, Bushka ka tentuar të ndikojë dëshmitarët për të mbrojtur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Përgjimet e siguruara nga prokurorët e SPAK zbulojnë se Bushka ka ushtruar presion mbi kushërirën e saj, Ina Goxhaj, duke i kërkuar të mohojë çdo fakt që mund të dëmtonte kryebashkiakun e Tiranës. Por skandali nuk ndalet këtu. Bashkë me Xoxën dhe avokatët e saj, Bushka jo vetëm që i ka ndaluar Goxhajt të dëshmojë, por edhe i ka sekuestruar telefonin, duke i dhënë një të ri për të fshirë çdo gjurmë komunikimi.

Advertisements

Pra ky është një model tipik i kapjes së shtetit, ku pushtetarët përdorin çdo mjet për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe për të penguar drejtësinë. Ndërkohë, Erion Veliaj, i cili dikur pozicionohej si simboli i luftës kundër korrupsionit, sot është një nga figurat kryesore nën akuzë. Përpjekjet e tij për të intimiduar hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK dëshmojnë se frika ka mbërthyer majat e politikës. Por a është ky momenti kur drejtësia më në fund do të sfidojë pandëshkueshmërinë? Apo do të shohim një tjetër përpjekje të dështuar për të ndëshkuar ata që për dekada kanë manipuluar pushtetin në favor të tyre? Kjo mbetet të shihet. Megjithatë theksojmë se Shqipëria është në një udhëkryq, ku e vetmja rrugë drejt së ardhmes është ndëshkimi i politikanëve që kanë shkatërruar besimin e qytetarëve në drejtësi.

Advertisements

Reagon gazetarja Lala

Konkretisht deputetja socialiste, Klotilda Bushka, e cila është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjit është vënë nën hetim nga SPAK si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në kuadër të dosjes Veliaj, me dyshimin se ka intimiduar kushërirën e saj Ina.G.. Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se njëri nga takimet me kushërirën e saj është përgjuar, me metoda proaktive, ku tregohet se deputetja e PS-së ka ushtruar presion ndaj dëshmitares për të mbyllur gojën lidhur me informacionet që ajo kishte në lidhje me Ajola Xoxën dhe Erion Veliajn. “Bushka ka intimiduar një kushërirë dhe mikeshë se si të sillet me ligjin. Në fakt kushërira e znj Bushka, ka shkuar në SPAK dhe ka thënë se kushërira ime me thirri në shtëpinë e prindërve dhe më kërkoi të mos shkoja në SPAK dhe të them se nuk mbaj mend asgjë.

Trekëndëshi Veliaj-Bushka-Xhafaj, është një trekëndëshi i njohur, Bushka ka ardhur ne politikë e mbështetur në politikë nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Veliaj. Bushka fliste në “gjyqin popullor” të partisë së saj, i kishte ikur zëri, i ishte tharë fyti se e di fare mirë se çfarë ka bërë. Në informacionet që unë kam, njëri nga takimet me kushërirën është i përgjuar, me metoda proaktive. Bushka, në prani të avokatëve dhe të Ajola Xoxës, i ka kërkuar me insistim kushërirës që të mos dëshmonte, i kanë sekuestruar asaj telefonin dhe i kanë dhënë telefon të ri që të zhdukin provat. Tani më thoni se çfarë mund te ndodhë në këtë vend që dëshmon sesi forca e pushtetit ndikon te dëshmitarët për të mbyllur gojën? Nuk ka fare nevojë prokurori ta dëgjojë znj.Bushka, se e ka dëgjuar në forma të tjera”, deklaroi Lala.

Pjesë nga emisioni në “Në Shënjestër” në “News 24”

Krahas biznesmenëve të dyshuar si të lidhur me Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, SPAK ka marrë në hetim edhe deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Klotilda Bushka. Për veprime që thotë se kanë penguar hetimin për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj. Sipas SPAK, Bushka ka intimiduar dëshmitarët që ishin thirrur nga SPAK. Klotilda Bushka ka marrë kontakte me Ina Goxhaj ish-drejtoreshë ekzekutive e Qendrës ‘Byl-A’, pasi kjo e fundit është thirrur në SPAK. Ajo e ka thirrur zonjën Goxhaj në shtëpinë e prindërve të saj dhe e ka urdhëruar të mohonte gjithçka gjatë marrjes në pyetje nga SPAK. Herën e dytë zonja Bushka e ka takuar Ina Goxhajn në një studio avokatie dhe i ka thënë që gjërat duhet të mohoheshin në mënyrë kategorike. Shqetësimi tjetër i Klotilda Bushkës ishte të mos mësohej se adresa e BYL-A ishte shtëpia e saj. Skandali është thelluar edhe më tek kur Ajola Xoxa i ka marrë Goxhajt telefonin e saj dhe pasi i ka kontrolluar bisedat i ka dhënë një telefon të ri.

Siç del në dosje, Ajola Xoxa, avokatët e saj dhe Klotilda Bushka morën vendimin që Ina Goxhaj të mos paraqitej në SPAK. Ndërsa vetë Goxhaj theksoi se avokatët ishin të shqetësuar pasi në prokurori ishte paraqitur Adela Kondakçiu. Klotilda Bushka sipas saj i ka thënë se nuk duhet të përmendej emri i Ajolës dhe as të tregonte se si kishin funksionuar. Ina Goxhaj thotë se i kanë bërë presion gjatë takimit duke i thënë që në momentin që Ajola do të shkonte në deklarim ajo do ta merrte vesh se çfarë kishte thënë Ina. Sepse informacioni do të rridhte, pasi ata kishin njerëz brenda prokurorisë dhe se do të njiheshin me deklarimin e saj. Por po kështu del që Ajola Xoxa ka orientuar punonjësit sesi te deklaronin në SPAK. Duke iu thënë të jenë konçiz dhe ndërkohë të hiqen sikur nuk mbajnë mend asgjë. Këtë fakt e dëshmon edhe truri financiar i kompanive të saj, Adela Kondakçiu.

Por pikërisht njerëzit që bashkëshortja e kryebashkiakut i konsideronte të besuarit e saj, duket se janë edhe dëshmia më e fortë kundër saj dhe Erjon Veliajt, politikanit të rëndësishëm që hyri në klasën politike duke denoncuar korrupsionin ndërsa po e mbyll karrierën si i dyshuar po për korrupsion. Veliaj që ka zgjedhur para hetuesve të ngrejë duart lart dhe të thotë se nuk ka dijeni për aktivitetet e gruas, por faktet flasin që kryebashkiaku ka patur dijeni pasi prokurorët thonë se ai vetë reklamonte punët e Ajolës, që financoheshin hera-herës nga Bashkia, por edhe institucionet e tjera. Por kërcënime ndaj prokurorëve të SPAK dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duket se ka lëshuar edhe vetë Kryebashkiaku Erion Veliaj. Ndërkohë që Gjykata e konsideron Erjon Veliajn si një personazh me njohje të shumta, për shkak të lidhjeve të shtuara dhe me ndikim mjaft të fortë, që burojnë nga detyra që ai ka ushtruar si kryebashkiak i Tiranës.

Shtetasi nën hetim Erjon Veliaj dërgon mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH-së, të cilëve u kërkon hapur të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime. Si dhe pranisë se një vartësve të kryetarit të Bashkisë gjatë takimeve të zhvilluara nga bashkëshortja e këtij të fundit me personat e thirrur nga SPAK. Po kështu provohet që Erjon Veliaj të ketë dërguar mesazhe të shkruara në adresë të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Mesazhe këto që duket se kanë synim të intimidojnë këta zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Çka mund të imagjinohet lehtë më pas sesi ky shtetas mund të sillet me dëshmitarët potencialë në këtë proces. Por a është ky fundi i yllit të Erion Veliaj? Një yll që u ngjit shpejt lart si drejtues i ‘Mjaft’, si një i ri premtues në një politikë ndryshe, por që tani po njeh fundin e tij, me akuza të cilat nëse do provohen mund të jenë finishi edhe i vetë karrierës së tij si politikan.