Si ndodhi krimi në lokalin në Ndroq, Julian Gjoshi qëlloi me 5 plumba në drejtim të mikut të tij! Autori dhe viktima, sherr disa ditë para vrasjes

Detaje të reja dalin nga krimi i rëndë ditën e djeshme (1 Dhjetor) në lokalin e njohur në Ndroq, ku i riu Julian Gjoshi qëlloi për vdekje mikun e tij Alfred Dedja.

Advertisements

Sipas dëshmitarëve, mes autorit të dyshuar të krimit dhe viktimës ka pasur një debat, përpara se 27-vjeçari të qëllonte në drejtim të “Daku”-t.

Advertisements

Raportohet se Julian Gjoshi ka qëlluar 5 plumba, por vetëm 3 plumba kanë kapur në trup 50-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, rezulton se disa ditë më parë ka pasur një sherr mes viktimës dhe autorit.

Viktima Alfred Dedja rezulton se jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas burimeve nga policia, 50-vjeçari rezulton të jetë i dënuar më parë në shtetin fqinj për trafik droge.

Viktima ishte nga zona e Ndroqit, ku edhe banonte. Alfred Dedja dhe 27-vjeçari mësohet se kanë qenë të njohur dhe miq me njëri-tjetrin.

Sipas dëshmitarëve, si autori i dyshuar ashtu edhe viktima, frekuentonin vazhdimisht zonën e Ndroqit dhe lokalin ku ka ndodhi krimi.

NGJARJA

Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Tiranës u bë me dije se një 50-vjeçar është ekzekutuar me armë brenda në një lokal në Ndroq të Tiranës. Viktima është identifikuar si Alfred Dedja, 50 vjeç, ndërsa autori i dyshuar, sipas policisë, është Julian Gjoshi, i njohur më së shumti si kunati i Altin Hajrit (vëllai i gruas së Hajrit), pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i kërkuar, i akuzuar dhe i hetuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janarin e 4 vjetëve më parë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 15:30, brenda ambienteve të lokalit “Kështjella”, ku mësohet se viktima ishte edhe banor i zonës dhe në lokal ndodhej si klient. 50- vjeçari njihej edhe me pseudonimin “Daku” dhe viteve të fundit jetonte mes Italisë e Shqipërisë. Ndërkohë policia informoi se është vënë në ndjekje të të riut nga Shijaku, si autor i dyshuar që mendohet se është larguar me “Benz ML”, me ngjyrë të zezë në drejtim të Durrësit.

Makina si dhe i gjithë momenti i krimit të rëndë është fiksuar jo vetëm nga kamerat, por edhe nga dëshmitarët e shumtë okular, të cilët nuk kanë mundur as t`i japin ndihmën e parë Dedjas, pasi u tha se kishte ndërruar jetë në vend. Dedja dhe autori 27 vjeç sipas të dhënave kanë pasur njohje të mëhershme me njëri-tjetrin, ku Dedja bëhet me dije se ka punuar para disa vitesh edhe në kompleksin e Altin Hajrit, kompleks në të cilin u mbajt trupi i pajetë i Jan Prengës, deri në momentin që u nxor nga aty dhe u zhduk.

HETIMET DHE DYSHIMET

Referuar të dhënave paraprake bëhet me dije se pista e parë në të cilën janë fokusuar hetimet është përplasjet për prishje pazaresh. Nuk bëhet me dije se për çfarë pazaresh bëhet fjalë por policia ka nisur verifikimin e aktivitetit të të dy personave, si të viktimës, ashtu edhe të autorit.

Ku i fundit, më herët ka qenë i prangosur për armëmbajtje pa leje, por është liruar në rrethana të dyshimta. Në hapjen e komunikimeve Sky ECC për llogari të dosjes së deputetit të Partisë Socialiste të vënë në pranga pak ditë më parë, u mësua se miqësia mes Altin Hajrit, një prej emrave më të njohur dhe të akuzuar në botën e krimit sot, dhe deputetet Jurgis Çyrbja u vu në provë edhe me ndërhyrjet për të liruar nga qelia kunatin e Altin Hajrit, i cili ishte nën hetim dhe nën arrest. Dhe, në fakt, Gjoshi ka rezultuar i lirë, ndërsa Dedja ka precdentë të shumtë, por edhe ai ka qenë i lirë.

Policia përveç pamjeve filmike ka në duar skedat personale të autorit dhe viktimës, njohjet e tyre, dëshmitë nga vendi i ngjarjes dhe disa fakte dhe prova të tjera. Mësohet se viktimës, Alfred Dedja iu ka gjetur një pistoletë me vete, çka ngre dyshime që ai ka qenë duke u ruajtur prej dikujt. I është sekuestruar telefoni për të parë, nëse në atë lokal, Dedja ka dalë nga ndonjë thirrje e kryer nga vetë autori i krimit të rëndë. Vijojnë hetimet por edhe kërkimet për të sjellë në pranga autorin e vrasjes.

Skeda e autorit

Julian Gjoshi nuk është emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i arrestuar më 19 janar 2021 për armëmbajtje pa leje. Në atë kohë 23 vjeç, Julian Gjoshi u prangos nga forcat “Shqiponja”, në Tiranë, teksa lëvizte me makinë. Kapja e këtij shtetasi u bë në bulevardin “Gjergj Fishta”, gjatë kohës që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/ l. “Shërbimet e Policisë kishin marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin Julian Gjoshi dhe pasagjer shtetasin E. B., poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë fakt dhe nuk ka kallëzuar në organet kompetente”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës për atë ngjarje. Por Gjoshi është liruar pak kohë më pas.