Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas në flagrancë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vjedhje të ndryshme në disa qytete të Shqipërisë.
Advertisements
Arrestimi i tyre ka ndodhur pas një ndjekjeje më shumë se dy orëshe, pasi drejtuesi i automjetit të vjedhur, shtetas në kërkim, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, duke përplasur një automjet të policisë në Babrru.
Advertisements
Në automjetin e dyshuarve, Policia ka sekuestruar një sasi kokainë dhe një armë të ftohtë (thikë), të cilat janë marrë si prova materiale.
Të arrestuarit janë shtetasit E. Z., 50 vjeç, dhe E. T., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në vjedhje të ndryshme në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos gjatë periudhës shkurt-prill 2025.
Njoftimi i policisë
“Qarkullonin me një automjet të vjedhur, kapen në flagrancë me kokainë dhe armë të ftohtë në automjet dhe vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë për vjedhje të ndryshme në disa qytete.
Kapja e tyre, pas rreth 2 orësh ndjekje nga Policia, sepse drejtuesi i automjetit (shtetas në kërkim) nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar por në tentativë për t’u larguar përplasi një automjet policie.
Sekuestrohen automjeti i vjedhur, lënda narkotike dhe arma e ftohtë (thikë).
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me ata të Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Nr. 4, pas informacionit të marrë për një automjet të vjedhur në Elbasan kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Drejtuesi i automjetit, pasi ka parë Policinë, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe në Babrru ka përplasur një automjet të Policisë, brenda të cilit ishin 2 punonjës police. Nga përplasja, janë dëmtuar lehtë 2 punonjësit e Policisë.
2 shtetasit që qarkullonin me automjetin e vjedhur janë neutralizuar dhe vënë në pranga nga punonjësit e Policisë.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një armë të ftohtë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. Z., 50 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për disa vjedhje;
E. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me shtetasin E. T., gjatë periudhës shkurt-prill 2025, ka kryer vjedhje të ndryshme në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thueht në njoftimin e Policisë.