Emisioni “Në Shënjestër” i është rikthyer historisë së zhdukjes pa gjurmë të 10-vjeçarit Julian Çela më shumë se një dekadë më parë. Fëmija ishte në një qendër interneti kur u thirr nga dikush dhe prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Advertisements
Pjesë nga dokumentari:
Advertisements
Dhjetëra fëmijë në Shqipëri janë rrëmbyer apo zhdukur pa gjurmë. Secili prej tyre mbart një histori tronditëse. Rastet janë të pazgjidhura dhe kësisoj fati i këtyre fëmijëve mbetet mister. Janë vrarë apo rrëmbyer për t’u shfrytëzuar? Kjo pyetje ende nuk ka marrë përgjigje as në rastin e Julian Çelës, djalit të një prej zyrtarëve më të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror, i zhdukur 11 vite më pare. Duke e parë atë në dritën e detajeve të papublikuara, por edhe me thirrjen për institucionet shtetërore, për ta rihapur këtë ngjarje, emisioni “Në Shënjestër” i rikthehet historisë. Ajo ishte dita e fundit e javës së shkollës për të. Julian Çela ishte vetëm 10 vjeç dhe si çdo fëmijë, nuk ishte shkëputur ende nga lojërat e moshës. Edhe pse atë ditë dhe në atë orë, ai duhet të ishte në mësim, ai kishte zgjedhur të ndalonte te interneti i lagjes ku banonte. Aty ku ndër personat e fundit që e pa në të gjallë, ishte një nga punonjëset e qendrës së internetit, e cila dëgjoi një zë ta thërriste nga jashtë. Dhe po kështu ndjeu hapat e tij që të nxitonin drejt këtij zëri që ka mbetur edhe sot misterioz.
“Hera e fundit që e kam parë Julianin në pikën e internetit tim ka qenë data 30 Nëntor 2012, rreth orës 15:00. Juliani hyri i vetëm brenda dhe shkoi deri në fund të kompjuterave. Pasi më foli mua, nxori një flamur shqiptar që deshi të ma dhuronte. Pas pak Julianin e ka thirrur dikush jashtë derës duke i thënë: ‘O Juli hajde pak’. Juliani doli dhe nuk u kthye më”, thotë punonjësja e internetit.
Që nga ky moment Juliani, do të zhdukej në mënyrë të papritur dhe do të linte një brengë të thellë te familja dhe shumë pikëpyetje rreth fatit të tij. Kush ishin personat që e rrëmbyen? A kishte lidhje rrëmbimi me detyrën e babait të tij si oficer i lartë i Shërbimit Informativ, dhe me dosjet e nxehta që ai kishte në duar? Apo Juliani ra pre e bandave të trafikimit të qenieve njerëzore?
A mund të ishte kaq i thjeshtë rrëmbimi i tij, sa të guxonin dhe ta kryenin një veprim të tillë në mes të ditës dhe mbi të gjitha në një nga zonat më të njohura të Tiranës? Dhe po kështu çfarë sigurie kishin se nuk do të zbuloheshin ku në mes të kësaj historie do të ishte një oficer i Shërbimit Informativ që do nuk do të linte gur pa lëvizur për të gjetur birin e tij. Cila është letra që Skënder Çela, babai i Julianit mori për rrethanat e zhdukjes së djalit të tij, dhe a mund të jetë përmbajtja e kësaj letre një nismë për të zbardhur edhe sot fatin e 10-vjeçarit, që më 9 maj të këtij viti duhet të ishte 22 vjeç, në kulmin e rinisë së tij. Për herë të parë, pas shumë vitesh në heshtje të plotë, emisioni ‘Në shënjestër’ do të përpiqet edhe njëherë të futet në skutat e errëta të zhdukjes së Julian Çelës, atë 30 nëntor të vitit 2012.
Cilat ishin kontaktet e tij të fundit dhe kush ishte zëri që e thirri atë të premte të dilte jashtë nga qendra e internetit, kur në fakt në atë orë duhet të ishte i ulur në bankën e klasës së tij në shkollën ‘Jeronim De Rada’; një apel të cilit ai nuk iu përgjigj atë ditë, por edhe në vazhdim. Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, i pari që bëri kallëzim në komisariatin nr 3 në Tiranë, për largimin e papritur të të birit nga familja, ishte Skënder Çela, babai i tij, një oficer madhor atë kohë në Shërbimin Informativ Shtetëror. Ai mbante në këtë institucion të rëndësisë së lartë për sigurinë kombëtare, detyrën e zv/drejtorit të Drejtorisë Kundër Terrorit.
Ai u drejtua për ndihmë te strukturat më të afërta të policisë, vetëm një ditë pas zhdukjes së beftë të Julianit. Pas kërkimeve të shumta që kishin kryer te familjarë të ndryshëm, ku mendohej se mund të strehohej Juliani, kërkime të dëshpëruara, pasi askush nuk kishte informacion se ku ai mund të ishte larguar.
“Pasditen e datës 1 dhjetor 2012, në ambientet e komisariatit Nr 3 në Tiranë, është paraqitur për të kallëzuar largimin nga banesa të të birit, shtetasi Skënder Çela, me detyrë zv.drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorit në SHISH. Sipas kallëzuesit, i biri Juliani, i moshës 10 vjeç, është larguar nga shtëpia dhe ka humbur kontaktet që më datë 30 Nëntor 2012”, thuhet në dosje.
Sipas dëshmisë që Skënder Çela dha në polici kërkimet që ata bënë për gjetjen e djalit të mitur nuk dhanë rezultat. “Djali im i moshës 10 vjeç ka dalë nga banesa në Laprakë, më datë 30 nëntor 2012 rreth orës 12.00 dhe nuk është kthyer më në banesë. Rreth orës 17.00 bashkëshortja ime ka kontrolluar në pikat e internetit në Laprakë pasi Juliani i frekuentonte, por megjithë kërkimet e kryera nuk ka mundur ta gjejë. Pasi nuk arriti ta gjente Julianin, bashkëshortja më njoftoi mua. Bashkë me familjarë të tjerë kemi nisur kërkimet për gjetjen e djalit në zonën e Laprakës, Liqenit Artificial. Po kështu kemi pyetur të afërmit tanë në Elbasan, Gramsh, Mëzez, etj, por s’kemi mundur ta gjejmë”, thotë në dëshmi.
I fundit familjar që e kishte parë Julianin para se të zhdukej pa gjurmë, ishte motra e tij, e cila e kishte takuar vetëm pak metra larg banesës së tyre, në zonën e njohur si ‘Kupola’ në Tiranë. Aty ku kishin pasur një shkëmbim të shkurtër bisede midis tyre, ku i kishte kërkuar të shkonte në shkollë. Por ndërsa motra mendoi se pas kësaj bisede Juliani do të drejtohej në shkollë për të ndjekur orët e mësimit, e vërteta e mëtejshme, tregoi se atë ditë ai ndryshe nga tërheqja e vëmendjes së familjarëve të tij, nuk e bëri një gjë tillë. Zgjodhi të kthehej në një qendër interneti. Ky duket se është edhe momenti i fundit kur Juliani shfaqet në sytë e familjarëve të tij, pasi që nga ky çast askush prej tyre nuk ka dijeni për të. Apo qoftë edhe të ketë kontaktuar në vazhdim, derisa mësuan se diçka e pazakontë kishte ndodhur me njeriun e tyre të dashur.