Për rreth 1 orë e 30 minuta, ekipi përfaqësues mbylli përgatitjet në Tiranë paraditën e djeshme, duke zhvilluar seancën e fundit stërvitore në tokën shqiptare. Me grupin në fillim të seancës u bashkua edhe Ismajli me Kumbullën, por të dy mbrojtësit u stërvitën të diferencuar për shkak të problemeve fizike. Ndërkohë Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të dy lojtarët do të udhëtojnë me skuadrën në Londër për ndeshjen me Anglinë.
Advertisements
SEANCA- Pas ushtrimeve të lehta atletike në formën e nxehjes, ekipi u fokusua te loja me top duke u ndarë në dy grupe. Ajo që mori kohën më të madhe të seancës, ishte testi brenda grupit, ndërsa u provuan edhe situata apo skema të ndryshme të lojës, po ashtu edhe goditjet standarde dhe ato në portë.
Advertisements
ZABALETA- Për rreth 10 minuta gjatë testit brenda grupit, kur Gjimshiti dhe Ajeti u larguan, sepse morën ngarkesën e duhur, duke qenë se kanë pasur një sezon të ngarkuar, në mbrojtje veshi fanellën Pablo Zabaleta, ndihmëstrajneri i Kombëtares. Argjentinasi i cili me futbollin e luajtur është mbajtur mend si një mbrojtës agresiv dhe për lojën e ashpër, nuk mund të mos dilte në “origjinë” dhe “viktima” ishte Nedim Bajrami. Pasi mori një pasim nga Asllani dhe po tentonte të kontrollonte topin, Zabaleta i ndërhyn nga mbrapa, me Nedimin i cili ndaloi një moment dhe po duronte dhimbjet e goditjes. Një paralajmërim për mesfushorin anësor për ta kuptuar se çfarë e pret në “Uembli”. Gjithçka kaloi dhe Bajrami vijoi lojën normalisht.
BROJA-SILVINJO- I rikthyer nga një dëmtim në kavilje, Silvinjo e di shumë mirë sa i rëndësishëm është Armando Broja për ekipin kombëtar. Kur nuk kishte mbetur edhe shumë nga seanca stërvitore, trajneri dhe sulmuesi po bisedonin nga afër, në lidhje me diçka teknike që braziliani po i shpjegonte. Në fund, gjithçka mbyllet me një shtrëngim duarsh. Sulmuesi pritet të marrë minuta.
UDHËTIMI- Pas stërvitjes, Kombëtarja u kthye në hotel dhe pasdite fluturoi nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt Londrës. Pas akomodimit, ditën e sotme skuadra do të mbyllë përgatitjet në stadiumin “Uembli”, ku do të zhvillojë seancën e fundit zyrtare stërvitore. Përballja me Anglinë do të luhet nesër në orën 20:45. Panorama Sport