Skandali, ja si shpërndaheshin fondet e USAID në Shqipëri vetëm mes një grupi, OJQ-të morën 189 milionë dollarë në…

Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Presidenti amerikan Donald Trump vendosi një pezullim për një periudhë 90-ditore të ndihmave për vendet e huaja, përfshirë dhe Shqipërinë. Fondet amerikane do të jenë të ndërprera deri në një vendim të dytë, pasi administrata e Trump të ketë vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Pas këtij vendimi janë zbuluar edhe skandalet se si shpërndaheshin fondet e amerikanëve. Dje u zbulua se organizatat jo qeveritare në Shqipëri kanë përfituar 189 milionë dollarë për 4 vite, konkretisht 2020 – 2024, nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur si USAID. Kjo e dhënë është bërë me dije nga i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, i cili ka publikuar në platformën “X” shifrat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vendi ynë qëndron i parafundit, pasi në krye të listës janë OJQ-të e Kosovës, të cilat kanë përfituar plot 537 milionë dollarë në 4 vite dhe pas tyre renditet ato të Bosnjë Hercegovinës me 402 milionë dollarë.

Advertisements

Më pas Serbia, 209 milion dollarë Vjen Shqipëria dhe në fund Mali i Zi 77 milion dollarë. Krahas shifrave të publikuara, Richard Grenel akuzon se këto para të taksa-paguesve amerikane janë shpërdoruar duke financuar OJQ të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Amerikanët e palodhur paguajnë taksa – politikanët në Uashington, DC i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliardë dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera. Këtu është një fragment vetëm nga USAid…”, u shpreh Grenell. Gjithashtu, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Ndihmë të Huaj (USAID) tregojnë se, vetëm në vitin 2023, nga fondet e Uashingtonit janë akorduar të paktën rreth 3.3 milionë dollar për gazetarinë investigative në Shqipëri.

Advertisements

Si shpërndaheshin fondet vetëm mes një grupi

Por skandali nuk mbaron me kaq. Organizata “Judicial Watch” ka nxjerrë në dritë fakte të reja përmes një dokumenti me 49 faqe ku tregon se si janë ndarë grantet në vendin tonë, vetëm mes disa personash. Në një kohë kur i gjithë procesi duhej të ishte transparent dhe të merrnin pjesë të gjitha organizatat që mund të përftonin grante, në fakt ky dokument tregon plotësisht të kundërtën. Komunikime të rëndësishme përmes e-maileve, që marrin për herë të parë dritën e botimit duke iu referuar organizatës së mësipërme, nxjerrin në pah rolin e Andro Dobrushit, drejtor i Open Society Foundation-Albania, i cili ka ndikuar në shpërndarjen e fondeve përmes programeve të ambasadës amerikane.

Sipas dokumenteve, Dobrushi ka qenë në qendër të takimeve të organizuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku janë shqyrtuar aplikimet për grante të organizatave joqeveritare. Një nga këto takime u mbajt më 18 qershor 2015, ku ai ishte mes të ftuarve për të dhënë opinion mbi ndarjen e fondeve të USAID-it për organizatat në Shqipëri. Një tjetër emër që del në këto dokumente është Ilva Cuko, specialiste programi në Zyrën për Çështje Publike të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajo ka dërguar disa emaile, mes të cilave një më 28 gusht 2015, ku fton Dobrushin në një takim për rishikimin teknik të granteve që fokusoheshin në projekte për “luftën kundër korrupsionit”. Gjithashtu, një email i datës 22 shkurt 2016 tregon se Dobrushi është ftuar sërish në një takim më 26 shkurt në ambasadë për të dhënë opinione mbi organizatat që duhej të merrnin financim nga fondet e USAID-it. Dokumentet zbulojnë se ai kishte një rol ndikues në vendimet e marra nga Komisioni i Demokracisë i Ambasadës Amerikane, që kishte autoritetin përfundimtar mbi ndarjen e fondeve.

Edhe në email-et e përdorura, Ilva Cuko kishte future në rrethin e ngushtë të shpërndarjes së granteve vetëm disa persona që i ftonte të merrnin pjesë si Andi Dobrushi, Fiorela Shalsi, Elga Mitre, Rezarta Katuci, Mihallaq Qiro, Kristina Voko, Gerta Meta ndërsa për dijeni e-maili i dërgohej Angjelina Pistolit. Përveç Shqipërisë, Judicial Watch ka nisur procese gjyqësore për të zbuluar përdorimin e fondeve të USAID-it edhe në vende të tjera si Maqedonia, Rumania dhe Kolumbia, ku Fondacionet Open Society të Sorosit kanë pasur një prani të fuqishme.

Çfarë është USAID-i?

Ish-Presidenti Kennedy e krijoi USAID-in në kulmin e Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik. Ai dëshironte një mënyrë më efikase për t’iu kundërvënë ndikimit sovjetik në skenën ndërkombëtare, nëpërmjet ndihmave për vendet e tjera, një funksion për të cilin Departamenti i Shtetit iu duk më burokratik se ç’duhej. Kongresi miratoi Ligjin për Ndihmën e Jashtme dhe ish-Presidenti Kennedy krijoi USAID-in si një agjenci të pavarur, në vitin 1961. USAID-i vazhdoi të funksionojë edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në ditët e sotme, mbështetësit e USAID-it thonë se ndihma e USAID-it në vendet e tjera, i kundërvihet ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Kina ka programin e saj “Një Brez Një Rrugë” për ndihmat për vendet e tjera dhe ushtron aktivitet në shumë vende që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i kenë partnere.

Kritikët thonë se programet janë një shpërdorim dhe nxisin një axhendë liberale.