Skandali me qumështin me aflatoksinë/ Resuli: Shqipëria po kthehet në një spital të madh, ministria fsheh rastin që…

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli ka folur në lidhje me situatën alarmante me sigurinë ushqimore në vend. Resuli i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” u ndal te skandali më i fundit që ka dalë në pah, ai i qumështit të kontaminuar me aflatoksinë. Ai shpjegoi se në doza të larta kjo substancë shkakton helmim të menjëhershëm, ndërsa në plan afatgjatë sjell dëmtime të mëlçisë dhe rrezik për zhvillimin e kancerit.

Advertisements

Sipas tij, aflatoksina është një nga mikotoksinat më të rrezikshme dhe është klasifikuar si kancerogjene, ndaj duhej mbajtur brenda normave të lejuara. Resuli ngriti alarmin se Ministria e Bujqësisë po e fsheh këtë skandal, ndonëse ka pasur rezultate laboratorike pozitive që nga mesi i marsit. Ai pyeti publikisht se kujt po i shërben heshtja dhe mungesa e transparencës.

Advertisements

“Ka një muaj që kjo situatë mbahet e fshehtë, ndërkohë që qumështi vijon të shitet,” u shpreh ai.

Resuli theksoi se bizneset që po lulëzojnë më shumë janë laboratorët e analizave dhe klinikat mjekësore, duke e quajtur këtë një pasojë të drejtpërdrejtë të mungesës së sigurisë ushqimore. Ai paralajmëroi se Shqipëria po kthehet në një “spital të madh”, ku pasojat janë të pallogaritshme në jetë, ekonomi dhe mirëqenie publike.

“Për sa i përket efekteve të aflatoksinës, në doza të larta kemi intoksikacione të menjëhershme siç ishte rasti që referoi dhe gazetari, pra helmim të menjëhershëm, dhe pastaj në efekte me afatgjata kemi dëmtime të mëlçisë apo kancer të mëlçisë e kështu me radhë.

E thënë ndryshe, realisht është një nga mikotoksinat e klasifikuara, e cila ndikon drejtpërdrejt në efektet kancerogjene, ndaj dhe është klasifikuar kaq e rrezikshme dhe është përpjekur të mbahet brenda një linje, norme, teknike.

Pse ministria e Bujqësisë e fsheh skandalin e qumështit të kontaminuar? Kujt po i shërben ministria e Bujqësisë e cila sot e kësaj dite, edhe pse ka që nga mesi i marsit që përgjigjja e laboratorit ka ardhur me raste pozitive të këtyre mostrave, është fshehur deri tani në prill.
Pra ka një muaj që e fsheh situatën, kujt po i shërben ose kë po lejon që të shesë qumësht akoma?

Fatkeqësisht, nëse do shohim çdo ditë, edhe nëpër lagje edhe në qytetet tona, bizneset që lulëzojnë më shumë janë kryesisht laboratorët e analizave dhe klinikat mjekësore.
Çka do të thotë se, dashur pa dashur, Shqipëria po kthehet në një spital të madh, ndoshta dhe privat, në të cilin ka dëme të pallogaritshme. Flasim dëme në jetë, kemi dëme në aspektin ekonomik, pastaj kemi njerëz që janë të paaftë për të shkuar në punë, më pas je i varfër e me radhë.

Pra e thënë ndryshe, po bëjnë dëme në të gjitha karakteret për sa i përket popullatës në masë, për të mos arritur një term që ndoshta është pak më i rëndë, një lloj genocidi në heshtje, duke ‘pastruar’ apo duke ulur qoftë fertilitetin, qoftë rritjen e popullatës, qoftë edhe vitalitetin e këtij kombi,” tha ai.