Buxheti i shtetit ka vendosur 1.25 miliardë lekë apo rreth 12 milionë euro në dispozicion me qëllim mbështetjen me naftë për fermerët për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi. Sipas vendimit të qeverisë, subjektet përfitojnë pagesa për uljen e kostos për naftën, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore.
Advertisements
Në vendim sqarohet se subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: Të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.
Advertisements
Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet varion: deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha; Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. Procesi i kontrollit në terren kryhet pas kalimit të pagesës te subjektet përfituese: për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale dhe shmangien e lejuar të faktit të verifikuar të kulturave dhe të sipërfaqes së kultivuar, në raport me vlerën e përfituar, e cila të jetë jo më e madhe se 20%; në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha.
Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20%, ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka bërë me dije një ditë më parë se këtë vit fermerët nuk do të marrin naftë me kartë, por do t’u hidhen para’ në llogaritë bankare në mënyrë që ta blejnë.