Sot 80-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës, presidentit historik të Kosovës

Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova sot do të festonte 80-vjetorin e lindjes (1944-2006).

Advertisements

Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues. Ai lindi në 2 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut.

Advertisements

Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris. Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.

Ai ka botuar disa libra, ku më kryesorët janë: “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (Prishtinë 1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (Prishtinë 1986), “Refuzim estetik” (Prishtinë 1987) dhe një varg studimesh në fushën e teorisë së letërsisë, të kritikës dhe kulturës shqiptare.

Në vitin 1988, u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991).

LDK nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004.

Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë, më 21 janar 2006.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.