Sot tubimi i opozitës para Kryeministrisë, ja orari kur do të zhvillohet! Risia e protestës së PD-së

Opozita do të mblidhet sot sërish në shesh në protestën kundër qeverisë. Protesta do zhvillohen në orën 17.00 para selisë së qeverisë.

Advertisements

Ndryshe nga protestat e kaluara në kuadër të asaj që PD e quajti ‘mosbindje civile’ ditën e sotme do të rikthehen fjalimet para militantëve. Sfidë mbetet pjesëmarrja. Ndaj lideri demokrat Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mblidhen në Tiranë sipas tij për t’i dhënë goditjen e fundit “narkoshtetit”.

Advertisements

Gjatë një takimi me aleatët apeloi për krijimin e një fronti sa më të gjerë opozitar. Berisha përmendi se janë 1.5 milionë votues potencialë që jetojnë jashtë vendit dhe ka lënë porosi që duhet të gjenden lidhjet e tyre në Shqipëri dhe të punohet për regjistrimin e tyre në PER.

“Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballë me këtë të keqe që kemi përpara. Variantet e tjera pjesëtojnë fuqinë e opozitës. Të bëjmë një përpjekje për një front sa më të gjerë, kushtet ekzistojnë, të këqijat që ky regjim i ka bërë shqiptarëve, thirrje që çdo shqiptar të na bashkohet. Të bëjmë çdo gjë me diasporën dhe shqiptarët jashtë vendit. Janë 1.5 mln votues. E domosdoshme të kontaktohen. Nuk janë njerëz pa adresë ata. Nuk kanë shkëputur çdo lidhje me Shqipërinë, kush më shumë e kush më pak i ka ruajtur, lidhjet, t’i gjejmë lidhjet e t’u kërkojmë të regjistrohen. Të bashkohemi në një front kundër kësaj të keqe që ka pllakosur Shqipërinë”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha vuri në dukje se në themel të protestës është korrupsioni i mazhorancës socialiste dhe luksi në të cilin sipas tij jeton kryeministri Edi Rama. Ai shfrytëzoi për këto akuza edhe deklaratat publike të ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj.

“Se kur ulet me një shishe verë 33 mijë euro dhe pi 200 pensione brenda dy orësh. Se kur ble një vazo 5 milionë euro në oborr për të qetësuar sytë e tij. Prandaj dhe sot është dita e qytetarëve. Sot duhet të flasin qytetarët me praninë e tyre, me forcën e tyre në këtë protestë. Sepse ky po i poshtëron çdo ditë. Ky kudo thotë, sa më shumë vjedh, aq më shumë më votojnë. Sepse ky i shndërron paratë e vjedhura në votë dhe votën në vjedhje”, theksoi kreu i PD-së. Berisha shfrytëzoi takimin me aleatët, për të ftuar të gjitha partitë opozitare të bashkohen në një koalicion kundër kryeministrit Edi Rama.

“Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës”, deklaroi lideri i opozitës.

Kurse gjatë një konference me gazetarët, Berisha u ndal tek ndryshimi i kodit zgjedhor dhe vota e diasporës. Berisha përsëriti se nuk voton propozimet e PS për ndërhyrje në kod nëse nuk lejohen të votojnë emigrantët që nuk kanë një pasaportë biometrike shqiptare, por kanë një pasaportë italiane, amerikane apo gjermane.

Por Berisha sqaroi se PD do të votojë ndërhyrjen në ligj që garanton që qeveria të paguajë postën për fletën e votimit të diasporës. Në konferencën me gazetarët, Berisha ritheksoi se nëse shumica nuk voton njohjen e dokumenteve, opozita nuk do votojë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve.

“Ne, këtë moment e lidhim me, në qoftë se qeveria nuk do njohë dokumentet e identitetit të qytetarëve shqiptarë në vendet e huaja ku janë prodhuar, ne nuk votojmë amendamentet që kërkon qeveria. Pikë. Nuk i votojmë. Se ka kërkuar jo të lëvizin afatet, jo të bëhet kjo e ajo. Çfarë po kërkojmë ne? Që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Këta po kërkojnë që sa më pak shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Po qe se votojnë njohjen e dokumenteve, ne do votojmë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve. Ne nuk shkelim Kushtetutën, përkundrazi. Pse po e kushtëzojmë ne? Që t’u mundësohet e drejta kushtetuese atyre. Këta nuk e pranojnë duke shkelur të drejtën kushtetuese. Nuk e shkelim kurrsesi të drejtën kushtetuese ne. Po është evidente. Kushtetuta nuk thotë se është shtetas shqiptar ai që ka pasaportë shqiptare. Jo. Mund të kesh pasaportë greke, italiane dhe mund të jesh shtetas shqiptar. Ata po e bëjnë këtë. Ne në kundërpërgjigje nuk e votojmë këtë me datë 13. Prandaj kanë kohë gjer me datë 13 të mendojnë si të duan”, theksoi Berisha.