Spiropali reagon pas vetëvrasjes së 27-vjeçares

by editor

Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje më një ngjarje të rëndë ku një 27-vjeçare në Kamzë, nënë e një vajze 2-vjeçare, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në rrjetet sociale.

Advertisements

“Si nënë, si grua, si ministre dhe deputete e Kuvendit, nisur nga këto fenomene traumatike, jam duke ndërmarrë një iniciativë të propozimeve konkrete për dhunën me bazë gjinore, për ndërhyrje në legjislacion në linjë me rekomandimet e GREVIO-s dhe legjislacionin e BE-së. Jam e hapur për çdo sugjerim nga shoqata ose individë, për këtë plagë që shkatërron e merr jetë njerëzish”, komenton Spiropali.

Advertisements

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e gruas së re. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh banal TikTok-u, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera. Ky rast tmerrësisht i rëndë, ashtu si rastet e mëparshme të raportuara, apo ato raste që nuk raportohen kurrë dhe vuhen në heshtje, kërkojnë drejtësi”, thekson Spiropali.

“Gjuha e poshtërimit, shantazhit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligj zbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj., kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shantazhit, shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror”, nënvizon Spiropali.

You may also like