Një incident i rëndë me armë zjarri ndodhi të shtunën pasdite në qytetin Brugg të kantonit Aargau, Zvicër, duke lënë të plagosur një shtetas nga Kosova.
Advertisements
Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, ngjarja ndodhi në një zonë parkimi, ku nga një automjet BMW u qëllua në drejtim të një makine Skoda. Brenda Skodës ndodheshin dy persona, ndërsa njëri prej tyre, një 31-vjeçar kosovar, mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Kantonal të Badenit.
Advertisements
Pas ngjarjes, zona u izolua nga policia dhe u vendosën masa të rrepta sigurie. Edhe në ambientet e urgjencës së spitalit, u shtuan masat për shkak të ndjeshmërisë së rastit, raportojnë mediat zvicerane.
Autoritetet kanë ndaluar një 24-vjeçar zviceran, i dyshuar si autor i të shtënave, si dhe një shtetas tjetër kosovar. Të dy janë marrë në ndalim për hetime të mëtejshme.
Prokuroria ka nisur procedurat penale, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.