“Tërmet” në AMP, kreu i Agjencisë Policore pezullohet nga detyra dhe merret nën hetim, ja si kallëzimet e efektivëve…

Pezullimi nga detyra i kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, është bërë realitet, duke shënuar një nga zhvillimet më tronditëse në strukturat e drejtësisë dhe sigurisë në vend. Një figurë që duhet të garantonte ligjshmërinë dhe etikën në polici, tashmë është vetë subjekt i një hetimi penal për shpërdorim detyre. Në qendër të këtij “tërmeti institucional” qëndrojnë kallëzimet e vetë efektivëve, të cilët pretendojnë transferime të paligjshme dhe abuzime flagrante. Prokuroria e Beratit, ndonëse larg qendrës, ka dhënë një goditje me peshë, duke treguar se drejtësia mund të veprojë edhe jashtë strukturave të mëdha si SPAK-u. Por ky rast hap një debat të gjerë mbi përgjegjësinë e institucioneve që monitorojnë vetë shtetin, ndërsa rikthen shpresën se askush nuk është i paprekshëm.

Advertisements

Pezullimi

Advertisements

Konkretisht drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, është pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Beratit. Sipas informacionit të bërë publik nga Agjencia, Sulejmani dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ka transferuar oficerë të policisë gjyqësore në kundërshtim me ligjin. Hetimet janë duke vijuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “ Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat u caktua masa e sigurimit ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin F.S., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Kjo masë u mor në kuadër të procedimit penal nr.613/1 të vitit 2025, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga rrethanat e faktit dhe tërësia e akteve të administruara deri në këtë fazë të hetimit, u çmua se plotësohen kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal me karakter ndalues të parashikuara në nenet 228, 229 dhe 242 të K.Pr.Penale.

Në çmuarjen e prokurorisë dhe konfirmimin e gjykatës, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me nenin 10 pika, pika 1, shkronja “c” dhe nenin 22 të Ligjit nr.25/2019 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe nenin 62 pika 5, të të Ligjit Nr. 128/2021 ‘’Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’’. Po kështu, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit. Nën udhëheqjen e parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë dhe detyrën ekskluzive të Prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale, nga ana prokurorisë po vazhdojnë të kryhen veprime hetimore për të pasur një hetim të plotë dhe të gjithanshëm”, njoftoi dje AMP.

Reagon gazetari

Ndërkohë për këtë çështje dje ka folur në një media edhe gazetari Arsen Rusta, i cili tha se aktualisht postin e drejtuesit të AMP e ka marrë Artiol Salijasi. Ai thekson se nëse thellohen hetimet dhe faktohen elementë të mitmarrjes apo shantazhit, Sulejmani rrezikon edhe burgun. Rusta vuri në dukje se pezullimi i Prokurorisë së Beratit përcjell mesazhin që drejtësia s’është vetëm dera e SPAK-ut, ku edhe një organ akuze periferik mund të heqë nga posti një zyrtar të rëndësishëm. “Kam mësuar nga burime që bëhet fjalë për disa kallëzime, njëri prej tyre është konkret. Ka shkuar një prej efektivëve të AMP te prokurori duke bërë referimin e tij. Ai pretendon se transferimi i tij është bërë në mënyrë të paligjshme. Nëse i janë kërkuar para, ose jo, këtë ende s’e dimë. Kjo ka bindur prokurorin që të trokasë të gjykatë. S’është pezullim pse e ka vendosur prokurori, por sepse e ka miratuar gjykata. Është bindur gjykata, ka mbledhur prova prokurori, ka pasur përgjime, ka marrë urdhrat e transferimit, se si një efektiv në qarkun e Beratit është lëvizur në mënyrë të padrejtë, tashmë e faktuar. Është pak ironike sepse është titullari që duhet të monitorojë shkeljet e policisë dhe prokuroria e gjen vet, dhe ky prokurori e ka çuar edhe në gjykatë.

Neni 242 thotë pezullim me vendim gjykate. CV-ja e Florian Sulejmanit është mjaft e pasur, por posti i AMP i dha vetëbesim të theksuar, dhe në vend të hetonte policët, rezulton me shkelje. Artiol Salijasi ka marrë drejtimin e AMP, për shkak se është nëndrejtor në detyrë. Në rast se faktohet shpërdorimi detyre, si masë paraprake Gjykata e Beratit ka vendosur pezullimin, sepse mund të ndikojë të provat, në faktet, urdhrat që ka. Rrezikon edhe burgun nëse do thellohen hetimet, ose nëse do faktohet mitmarrja, kërcënimi, shantazhi. Largimi nga AMP s’është çudi. Do duhet ministri i Brendshëm t’i propozojë Këshillit të Ministrave përjashtimin e tij. Për mua deri në këtë moment s’e ka gjetur guximin që të jetë profesionale me “xhaketat e vjetra”, bosët apo titullarët e Policisë. Pezullimi i sotëm përcjell një mesazh që drejtësia s’është vetëm dera e SPAK-u, edhe një prokurori periferike mund të heqë nga posti një zyrtar të rëndësishëm. Edhe Prokuroria e Beratit të nxjerrë jashtë shërbimit. Jo gjithçka në SPAK”, deklaroi gazetari Rusta.