Gjashtë muaj para se ai të gjendej i vdekur në banesën lundruese të refugjatëve Bibby Stockholm, Leonard Farruku shpresonte për krijimin e një jete të re në Angli.
Advertisements
“Kam ardhur në Angli në gusht 2022. Shpresoj të marr dokumentet pasi jam në një kompleks për azil-kërkues. Erdha me gomone,” shkruante i riu shqiptar në një mesazh për një shokun e tij të fëmijërisë në Tiranë.
Advertisements
Nëna i kishte vdekur kur ishte 17 vjeç dhe babai disa vjet më vonë. “Humbja e nënës dhe më pas e babait më ka traumatizuar, nuk e dija ku isha apo çfarë po ndodhte. Tani kam këtu duke kërkuar azil, jetoj në një hotel, Zoti na mbroftë”, shkruante ai.
27 vjeçari besohet se ka vrarë veten në tualetin e barkës së kontestuar të refugjatëve, ku strehohen qindra azil-kërkues në brigjet jugore të Britanisë.
Advertisements
Ai ishte parë në gjendje të trazuar ditën kur më pas u gjet i vdekur.
Miqtë e familjarët ende pyesin se çfarë e shtyu Farrukun të kryente një akt të tillë, teksa askush nuk mendonte se muzikanti ambicioz i fizarmonikës me një të ardhme premtuese në dukje, do të vriste veten.
“Na merr malli shumë për Leonardin, do të jemi gjithmonë të trishtuar për mënyrën si i dha fund jetës”, thotë motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçare që jeton në Lombardi të Italisë.
Rrjeti britanik Guardian foli me të afërm e miq të të ndjerit si dhe me mësues të tij në Shqipëri, për të kuptuar më shumë mbi të kaluarën e Farruku dhe shkaqet që e çuan te vdekja.
Ata e përshkruanin si një djalë punëtor që ëndërronte të bëhej muzikant, por i tronditur nga vdekja e parakohshme e nënës, kur ishte në Liceun Artistik Jordan Misja, në Tiranë.
Pas vdekjes së babait disa vjet më vonë Farruku, i njohur ndryshe si Nardi, nisi të mendonte të shkonte në Angli, deri sa kreu lundrimin e rrezikshëm të ngushticës me Francën në 2022, viti kur një numër rekord prej 12,301 shqiptarësh erdhën në barka të vogla për të kërkuar azil në Angli.
Duke folur nga një zonë e varfër në periferi të Tiranës, ku jetonte dhe Farruku, xhaxhai i tij Agron Farruku, tregon për dhimbjen.
“Leonardi shkoi për të punuar ligjërisht në Angli, ishte ambicioz, donte punë dhe para, donte të kishte një jetë normale”.
Zyrtarët në Angli thonë se shqiptarit i ishte dhënë leja e punësimit disa ditë para tragjedisë, por ai nuk kishte marrë ende lajmin.
Xhaxhai 57-vjecar thotë se Farruku thotë se nuk dinte që ai të kishte probleme të shëndetit mendor: “Vdekja e tij na ka goditur rëndë, pjesa më e vështirë është të mos dimë çfarë i ka ndodhur. Si mund të mbetej i harruar për 12 ore në një impjant shtetëror?
“I kishte thënë motrës së kushtet në barkë ishin të mira, por trajtoheshin keq dhe donte më shumë liri, ankohej se zyrtarët e trajtonin si kriminel”.
I lindur në 29 janar 1996, Farruku u rit në Vorë në periferi të Tiranës, me nënën Shkëndije, dhe babain Petrit muzikant i njohur klarinete në zonë. Ai ka dy motra më të mëdha Marsida e Jola, që jetojnë në Itali.
Familja besohet se hasi vështirësi ekonomike kur u vendosën në Tiranë në 2009, teksa Nardi shkonte në shkollën follore Bajram Curri. Ata jetonin në një apartament të vogël parafabrikat në kushte të ftohta.
Lindita Fejzo, ish-mësuesja e gjuhës së Farrukut, thotë se babai Petrit interesohej për arsimin e të birit dhe vinte gjithmonë në takimet me prindër. “Leonardi ishte një nxënës i dashur dhe i sinqertë, i apasionuar pas muzikës e sportit, merrte nota mesatare në lëndët e tjera por ishte ambicioz dhe ëndërrimtar,” thotë mësuesja.
Më pas ai konkurroi me sukses për shkollën e arteve Jordan Misja, ku studioi nga viti 2011 deri në 2015. Mësuesit e përshkruajnë si një nxënës të sjellshëm dhe i shkëlqyer në veglën e fizarmonikës.
Drejtoresha e shkollës Valbona Kotepano, thotë për ish-nxënësin: “Leonardi ishte nxënës i mirë dhe i talentuar, por në vitin e fundit dukej i trazuar, nuk studionte më dhe nisi të prishte notat, shpesh mungonte”.
Edhe ish-shokët e tij Ervin Telo e Ariel Koka, të dy 28 vjeç, kujtojnë problemet e Farrukut: “Pas vdekjes së nënës nuk kishte më motivim, ishte goditje e rëndë për të”
Ata thonë se vitet e fundit e kishin takuar në Tiranë teksa ishte në telashe financiare dhe ëndërronte të shkonte jashtë vendit.
Pas vdekjes së babait Nardi kishte qenë disa kohë te motrat në Itali ku ishte përpjekur të gjente punë por nuk kishte arritur. Më pas vendosi të shkonte në Angli ku gjendeshin dy kushërinj të tij.
Nuk dihen arsyet e kërkesës së azilit për të cilën Farruku ka aplikuar, e cila besohet se po merrej në konsideratë nga ministria e brendshme britanike në kohën e vdekjes.
Familjarët e Farrukut tashmë duhet të presin për hetimet mbi vdekjen e tij me shpresën e marrjes së përgjigjeve për të ndjerin. /The Guardian/