Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut ka shtuar dëshirën e shqiptarëve të harxhojnë më tepër kohë në këtë platformë.
Advertisements
Brenda pesë ditëve, numri i përdoruesve në TikTok është trefishuar. Sipas ekspertëve të IT, tashmë dëshira për të pasur këtë rrjet social ka përfshirë edhe ata që nuk e kishin më parë një të tillë, dhe kjo bëhet duke shkarkuar aplikacionin falas VPN.
Advertisements
Eksperti i IT, Tomi Kallaxha thotë: “Duke qenë se është folur kaq shumë për këto VPN dhe njerëzit i ka kapur dëshira për të aksesuar TikTok-un, që është bllokuar nga kompanitë telefonike, dhe në top dhjetë aplikacionet më të shkarkuara, gjashtë prej tyre janë VPN. Ndërsa në vendin e dhjetë është TikTok-u. Përderisa është në listën e top njëzetëshes, numri i përdoruesve vetëm në muajin mars është rritur me 60-80 mijë.
Por telefoni nuk përdoret vetëm për qëndruar në TikTok. Shqiptarët kanë shfaqur interes edhe për edukimin, sportin, bastet e palejuara dhe filmat serialë.
“Një fjalë kyçe shumë specifike që është tepër interesante është se vajzat po kërkojnë profesionet më të mira në teknologji informacioni. Kemi dhe shkarkim të madh të serialit ‘Adoleshenca’, dhe në fund, shqiptarët janë të pushtuar nga futbolli dhe bastet online”, shton Kallaxha.
Edhe pse ekspertët e IT bëjnë thirrje që përdorimi i VPN është i rrezikshëm dhe të dhënat e përdoruesve mund të hakerohen e më pas të keqpërdoren, kjo thirrje ra në veshë shurdhët, pasi para të dhënave ata preferojnë të argëtohen në TikTok.