TikTok / 13-vjeçarja shqiptare godet kokën në dyshemenë e shkollës gjatë sfidës “Supermeni”

Një nxënëse në një shkollë fillore në Gurrakoc të Istogut ka pësuar lëndime trupore, pasi me disa nxënës të tjerë kanë luajtur sfidën “Superman”, që është bërë e famshme në rrjetin social TikTok.

Advertisements

Në këtë sfidë, dy deri në tre persona tentojnë ta mbajnë personin tjetër që “fluturon” në krahët e tyre, por në disa raste ata më pas e rihedhin ose nuk e presin fare dhe personi bie në tokë.

Advertisements

Sipas mediave në Kosovë, ngjarja në Istog ka ndodhur të enjten (5 dhjetor) gjatë pushimit të nxënësve, ka njoftuar drejtoresha e shkollës, M.K, duke bërë të ditur se me 13-vjeçaren fillimisht është marrë arsimtarja që kishte orë mësimore me atë klasë.

“Rasti fillimisht është adresuar tek arsimtarja që ka pasur orë në atë klasë mandej tek unë. Dhe si shkollë kemi reaguar menjëherë për t’i dalë në ndihmë”, ka deklaruar ajo.

Drejtoresha e shkollës bëri të ditur se e mitura kishte lëndime në kokë pasi kishte rënë në dysheme, derisa tha se pati edhe mundim në bark, dridhej dhe ishte zbehur.

Kabashi ka deklaruar tutje se nxënësja ka marrë trajtim mjekësor, e të premten është kthyer në shkollë.

Për fenomenin e TikTokut ka reaguar edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog.

Ajo u ka kërkuar shkollave të Istogut që javën e ardhshme të mbajnë sesion informues për nxënësit mbi përdorimin e rrjeteve online.

“Kërkoj nga ana juaj, si drejtorë, që nga e hëna e ardhshme (09.12.2024), në secilën klasë të shkollave tuaja të mbahet një sesion informues me nxënësit rreth përdorimit të rrjeteve sociale. Ditëve të fundit janë shfaqur një sërë problemesh që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga nxënësit e shkollave, gjë e cila nuk i kontribuon arsimimit të mirëfilltë të shkollave tona”, thuhet në reagimin e bërë në Facebook.