Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 në disa mostra qumështi të analizuara në qytetin e Vlorës, një substancë që mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, veçanërisht për fëmijët.
Advertisements
Aflatoksina M1 është një toksinë që kalon në qumështin e kafshëve kur ato ushqehen me foragjere të kontaminuara dhe njihet për potencialin e saj kancerogjen.
Advertisements
Gjatë një fushate monitorimi të zhvilluar nga janari deri në prill 2025, AKU analizoi 26 mostra të ndryshme qumështi dhe nënproduktesh të tij në këtë qytet. Rezultatet treguan se 10 nga këto mostra, pra afro 40%, përmbanin nivele të aflatoksinës M1 mbi kufijtë e lejuar nga standardet e sigurisë ushqimore.
Menjëherë pas konfirmimit të analizave laboratorike të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU nisi verifikimet në pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e kontaminuara. Të gjitha produktet e identifikuara si të pasigurta janë tërhequr nga tregu për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.
Autoritetet kanë nisur hetime për të identifikuar burimin e ndotjes dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë, qytetarët në Vlorë këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin me vëmendje njoftimet e AKU-së lidhur me sigurinë ushqimore.