Tragjedia në Shkodër/ Babai i vogëlushit: Nuk u helmua nga minjtë, mjekët dyshojnë për sëmundje virale

Babai i 3-vjeçarit që humbi jetën në Shkodër, ka folur mbi ngjarjen e rëndë. Në një prononcim për programin “People” në Euronews Albania, Samed Hasmegaj mohoi shkrimet e mediave se vdekja e djalit mund të ketë ardhur nga përdorimi i një bari për minjtë.

Advertisements

Ai theksoi se nuk ka informacion të qartë për shkakun e vdekjes dhe kërkoi që të mos përhapen spekulime të pabaza. Ai tha se as vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin, ndërsa tregon se fillimisht mjekët i kanë thënë se ndoshta mund të ketë qënë një gjendje gripale që më pas çoi në pasoja fatale.

Advertisements

Ndërsa sa i takon vajzës tjetër e cila u shfaq në spital me të njëjtat simptoma si vëllai i saj, Hasmegaj tha se ndodhet ende në gjendje kritike te Trauma.

“As vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin. Mediat kanë abuzuar me lajmet, unë vetë nuk i kam parë, por më kanë thënë të afërmit që në lajme thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaci që mund të kem përdorur për minjtë, kjo nuk është e vërtetë. Mjekët më thanë në fillim se ndoshta mund të ketë qenë një gjendje gripale, por nuk e di. Pritemi të më thonë më shumë mjekët. Vajza është ende në gjendje të rëndë, mjekët nuk më kanë thënë ende se sa do të qëndrojë në spital. Edhe bashkëshortja është në spital dhe ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore.”

Ndërkohë lidhur me ngjarjen kanë folur edhe familjarë të tjerë të fisit Hasmegaj të cilët kanë hedhur poshtë aludimet se mjekët nuk e kanë trajtuar siç duhej fëmijën. Ata konfirmuan se nuk kanë asnjë pretendim ndaj spitalit të Shkodrës, ndërsa kërkuan që mediat të tregohen të kujdesshme në raportimin e ngjarjes, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar shëndetësore të vajzës dhe shtatzëninë e nënës së fëmijëve.

“Çdo lajm i pavërtetë mund të ndikojë negativisht në shëndetin e saj,” thanë ata.

Ngjarja e rëndë u raportua një ditë më parë në Shkodër ku 3-vjeçari ishte shfaqur në spital me shenja helmimi dhe si pasojë humbi jetën. Me të njëjtat simptoma është dërguar në spital edhe e motra e tij 7-vjeçare e cila vijon të jetë në gjendje kritike, bashkë me të ëmën që ishte dhe shtatzënë. Ata janë transportuar në spital sapo kanë shfaqur shqetësime shëndetësore, por 3-vjeçari nuk ja ka dalë dot të mbijetojë. Fillimisht u raportua se prindërit kishin spërkatur një magazinë me helm minjsh dhe u dyshua se të miturit mund të ishin intoksikuar nga lënda toksike, por kjo gjë mbetet ende në kuadrin e raportimeve paraprake pasi hetimet për rastin vijojnë ende.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe spitalit Rajonal i Shkodrës, i cili tha se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore. Gjithashtu spitali bën të ditur se mjekët i kanë kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme, por prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi të miturin. Nuk dihet ende zyrtarisht se çfarë e ka sjellë ngjarjen e rëndë, ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.