Një 24-vjeçare palestineze u gjet e vrarë 1 javë më parë në Tiranë. Ngjarja është e mbuluar me mister pasi personi që e shoqëronte Rayyan Alwan ishte babai i saj, Fadi. Ky i fundit është larguar nga vendi dhe dyshohet se është autori i vrasjes me thikë të vajzës së tij.
Advertisements
Policia shqiptare në bazë të hetimeve i është drejtuar autoriteteve gjermane për informacione pasi rezultoi se numri që kanë përdorur babë e bijë për të rezervuar biletat online ishte në pronësi të një shtetasi gjerman.
Advertisements
Por të dhënat që vijnë nga Gjermania janë vërtetë tronditëse. Fadi Alwan është ndarë me mamanë e 24-vjeçares prej disa kohësh. Ndërkohë vetë viktima një vit më parë e kishte denoncuar nënën dhe babain se ishte dhunuar nga ata. Shkak ishte bërë fakti që ajo nuk ishte praktikante e rregullt e fesë islame.
“Zyrtarisht ka mbërritur një informacion ku është krijuar një profil sa i takon 49-vjeçarit. Është një person që ka qenë më parë i martuar me nënën e 24-vjeçares. Një vit më parë po viktima ka denoncuar në policinë gjermane se është dhunuar nga dy prindërit e saj Fadi Alwan dhe nëna e saj për shkak të problemeve në familje. Jetonin në Berlin të Gjermanisë. Sipas argumentit që ajo ka dhënë ky dhunim lidhet me faktin që ajo nuk ishte një praktikante e rregullt e fesë islame”, tha gazetari Merin Maçi gjatë emisionit “Opinion”.
Ndërkohë gazetarja Bleona Metushi shtoi se Rayyan Alwan kërcënohej jo vetëm nga prindërit, por edhe nga vëllezërit. Ajo donte të bënte një jetë të lirë, por siç duket familjarët, të cilët jetojnë në Berlin, nuk kanë qenë dakord me këtë. Po sipas autoriteteve gjermane, 24-vjeçarja ka qenë e martuar dhe kishte edhe dy fëmijë në Liban aty ku jeton ish-bashkëshorti i saj.
“Sipas informacioneve vajza në Janar të 2024 ka denoncuar në policinë gjermane se kërcënohej nga i ati, dy vëllezërit e saj dhe mamaja për shkak se ajo donte të jetonte një jetë lirë dhe demokratike. Ata nuk ishin dakord me zgjedhjet që ajo kishte bërë. Si duket hetimet janë orientuar drejt kësaj piste. Familjarë të tjerë të vajzës jetojnë në Berlin. Policia gjermane i ka sjellë autoriteteve shqiptare informacion se 24-vjeçarja rezulton të jetë e martuar dhe e divorcuar gjithashtu dhe, bashkëshorti i saj jeton në Liban bashkë me fëmijët e tyre”, raportoi gazetarja Metushi.