Policia e Durrësit ka vënë në pranga edhe dy vëllezërit e 19-vjeçares që dyshohet se vrau babain 50-vjeçar Pëllumb Meta, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë por e zbuluar sot nga policia.
Advertisements
Në pranga është vënë 25-vjeçari Hysen Meta si dhe djali tjetër 21-vjeçar Amarildo Meta, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me motrën e tyre, 19-vjeçaren Hygerta Meta për vrasjen e babait të tyre dhe fshehjen e provave.
Advertisements
Mësohet se policia ka arritur të zbulojë shenjat e gishtave të dy vëllezërve në qesen me të cilën ishte mbështjellë trupi i pajetë i 50-vjeçarit, i cili është vrarë brenda banesës dhe më pas trupi është varrosur brenda oborrit të banesës në Shënvlash të Durrësit.
Po ashtu, 25-vjeçari Hysen Meta mori makinën e të atit dhe pasi e çoi në zonën e Sektorit Rinia në Durrës, shkoi në polici dhe e denoncoi të zhdukur të atin e tij.
Nëna e tyre dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina Meta, po hetohet në gjendje të lirë me akuzën e pengimit të zbardhjes të së vërtetës.
Më herët, 19-vjeçarja Hygerta Meta mori përsipër krimin e rëndë duke thënë se kishte qenë ajo që kishte qëlluar 4 herë me armë zjarri mbi babain e saj disa ditë më parë, për shkak se 50-vjeçari Pëllumb Meta donte ta martonte me mblesëri.
Ajo tha se nuk ishte penduar për krimin, ndërsa rrëfeu vendin ku ishte groposur viktima si dhe vendin ku kishte hedhur pistoletën.