Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe Shqipëri ka marrë zhvillime të reja dramatike. Hetimet për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Erjon Pelivani, i ekzekutuar më 9 janar 2024 në Volos nga kunati i tij, Fatmir Tarellari, kanë hyrë në një fazë të re, pas një dëshmie befasuese nga vajza 19-vjeçare e autorit të krimit.
Advertisements
Ngjarja që tronditi Volosin
Advertisements
Më 9 janar, pranë një fabrike çimentoje në periferinë e qytetit Volos, 51-vjeçari Fatmir Tarellari nga Poliçani i ngriti një kurth vdekjeprurës kunatit të tij, Erjon Pelivani, duke e qëlluar me pushkë gjuetie dhe duke i shkaktuar vdekjen. Ai u arrestua menjëherë, ndërsa motivi i krimit u raportua se kishte lidhje me një akuzë tronditëse: Tarellari u njoftua nga vajza e tij 19-vjeçare se ishte përdhunuar për vite me radhë nga daja, viktima 33-vjeçare.
Sipas deklaratave të para, vajza kishte paraqitur mesazhe komprometuese për të bindur të atin, duke pretenduar se kunati e kishte shantazhuar dhe abuzuar seksualisht prej kur ishte vetëm 9 vjeçe.
Kthesa në gjyq: Falsifikimi i mesazheve
Megjithatë, në një dëshmi befasuese dhënë ditën e djeshme në Gjykatën e Larisës, vajza e autorit të vrasjes pranoi se kishte falsifikuar mesazhet SMS që i kishte treguar të atit. Ajo kishte manipuluar bisedat me të dashurin e saj, duke bërë që dërguesi të dukej si xhaxhai i saj, Erjon Pelivani. Kjo dëshmi hodhi dyshime të mëdha mbi motivin e vërtetë të vrasjes, por jo mbi deklaratat e vajzës për abuzim.
Pavarësisht këtij pranimi, ajo vijon të këmbëngulë se është abuzuar seksualisht nga daja, duke deklaruar se manipulimi i mesazheve ishte mënyra e vetme për të bërë të atin ta besonte.
Motivi që solli krimin
Ngjarja nisi fillimisht kur pronarja e banesës me qira të vajzës së 19-vjeçares njoftoi Tarellarin se pagesat mujore nuk ishin bërë, edhe pse ai i kishte dërguar paratë rregullisht. Vajza i tregoi të atit se i kishte dhënë paratë dajës së saj, pasi ai po e shantazhonte me publikimin e materialeve të turpshme të marra gjatë abuzimeve seksuale.
Këto pretendime e futën babanë në një “gjendje shoku”, siç e përshkroi vetë gjatë seancës së fundit. “Më vjen keq për atë që ndodhi. Ishin ditët më të këqija të jetës sime kur mësova çfarë i ndodhi vajzës sime,” u shpreh ai në gjyq, duke shtuar se ishte në një gjendje të rëndë psikologjike.
Akuzat ndaj 51-vjeçarit
Fatmir Tarellari po përballet me akuza për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore, si dhe për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës së zjarrit. Sipas aktakuzës, ai e kishte përgatitur aktin paraprakisht dhe i kishte zënë pritë viktimës për ta ekzekutuar.
Një proces që pritet të zgjasë
Gjyqi ndaj Tarellarit është ende në vijim dhe ka tërhequr vëmendje të madhe publike për natyrën e ndërlikuar të çështjes, ku përfshihen krimi, dyshimet për abuzim seksual, falsifikimi i provave dhe një tragjedi familjare me përmasa të rënda psikologjike dhe juridike.
Vajza 19-vjeçare mbetet një figurë kyçe në proces, mes një dëshmie të ndërlikuar dhe një pranim të pjesshëm të manipulimit. Rrjedha e mëtejshme e procesit do të varet nga provat forensike, dëshmitarët dhe besueshmëria e deklaratave të saj. /noa.al