Trump nis riorganizimin e DASH, Rubio: Eliminohen agjencitë e tepërta dhe programet që nuk i përshtaten interesave tona

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një proces të thellë riorganizimi në Departamentin e Shtetit, me synimin për të eliminuar agjenci të cilësuara si të tepërta dhe për të mbyllur programe që nuk i shërbejnë interesave kombëtare të SHBA-së. Këtë e bëri të ditur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Advertisements

“Kjo qasje do të forcojë ministrinë nga themelet, nga departamentet tek ambasadat. Shërbimet që kanë të bëjnë me fusha të veçanta do të shkrihen për të rritur funksionalitetin, shërbimet e tepërta do të eliminohen dhe programet e paligjshme që nuk janë në përputhje me interesat themelore kombëtare të Amerikës do të pushojnë së ekzistuari,” deklaroi Rubio.

Advertisements

Ai theksoi se ky plan është pjesë e axhendës “America First” të Presidentit Trump, e cila synon ta përqendrojë politikën e jashtme të SHBA-ve në interesa kombëtare më të drejtpërdrejta.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, puna e Nënsekretarit të Shtetit për Sigurinë Politike, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë do të zhvendoset tek një Koordinator i ri për Ndihmën e Jashtme dhe Çështjet Humanitare.

Ndërkaq, Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të integrohet brenda Departamentit të Shtetit, duke humbur statusin e saj si strukturë më vete. Rubio, i cili po udhëheq këtë proces riorganizimi, kritikoi rritjen e saj burokratike dhe efikasitetin e ulët, duke e quajtur “të paaftë për të kryer misionin e saj bazë diplomatik në këtë epokë të re të konkurrencës së madhe”.

Ndërsa ndryshimet për momentin prekin vetëm selinë në Uashington, më pas priten vendime edhe për misionet diplomatike jashtë SHBA-së. Zëvendësministrat kanë 30 ditë për të vlerësuar ndikimet në vendet e punës, ndërsa Kongresi është tashmë i informuar për procesin.

Në deklaratën e Rubios nuk u përmend nëse do të ketë mbyllje të konsullatave amerikane jashtë vendit.