Dy janë pistat kryesore të hetuesve italianë, sa i takon vrasjes së shqiptarit Bledar Dedja: hakmarrje ose larje hesapesh. 39-vjeçari, i cili jetonte në Asolo, në rajonin e Venetos, u gjet i vrarë mëngjesin e së dielës në një pyll të Grappa, nga një mik i familjes. Në trupin e tij u gjetën plagë të shumta që dyshohet se u shkaktuan nga goditjet me thikë. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Dedja u gjet me pantallonat e ulura dhe rreth 100 metra larg makinës së tij të parkuar anës rrugës. Ai po ashtu kishte plagë të shumta edhe në pjesën e krahëve, që do të thotë se tentoi që vetëmbrohej.
Advertisements
Pritet që mbi trupin e shqiptarit të kryhet autopsia për të zbuluar shkaqet e vdekjes, ashtu sikurse për të përcaktuar nëse para ngjarjes ka kryer marrëdhënie seksuale.
Advertisements
Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë prej pistave, mes të cilave atë të një takimi me një person tjetër që përfundoi në tragjedi, ndoshta në kulmin e një zënke për motive momentalisht të paqarta. Ata nuk përjashtojnë as hipotezën e larjes së hesapeve. Sigurisht vijon puna për kapjen e vrasësit, si dhe gjetjen e armës së krimit.
Bledar Dedja ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të mitur. Ai kishte shkuar në Itali rreth 20 vjet më parë. Për herë të fundit u pa në restorantin-piceri Bosco del Grappa, Antica Abbazia, ku punonte si kopshtar dhe merrej me pastrimin. Më pas humbi çdo gjurmë. Telefonatën e fundit e pati me kunatën, në orën 16:15. Sapo kishte kishte mbaruar turnin dhe për fundjavë kishte planifikuar që të shkonte për të peshkuar me një mik.
Hetuesit pritet që të kryejnë ekspertizën në makinën e viktimës, ashtu sikurse veshjet e tij, për të parë nëse autori mund të ketë lënë ndonjë gjurmë ADN-je. Në vendin e ngjarjes, tashmë skenë krimi, janë gjetur gjurmë të shumta gjaku. Karabinierët po ashtu do të analizojnë tabulatet telefonike, si dhe kamerat e sigurisë në zonë.
Ndërkohë familja e shqiptarit kërkon me dëshpërim zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Duke folur për mediat italiane, vëllai dhe motra e 39-vjeçarit mohuan që ai të kishte probleme me drogën, paratë apo persona të tjerë. Ata kërkuan me ngulm të vërtetën për vrasjen e Bledarit, ndërsa hodhën edhe hipotezën se ai mund të jetë vrarë pasi zbuloi diçka që nuk duhej.