Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka, e dënuar nga Apeli i GJKKO-së me burg për korrupsion.
KLGJ mori vendimin pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkakimin nga nga detyra të magjistrates së Gjykatës së Durrësit.
Advertisements
“Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në vendim.
Advertisements
ILGJ kërkoi shkarkimin e Mimoza Margjekës pas dënimit të saj nga Apeli i Gjykatës së Posaçme me 4 vite e 6 muaj burg, që iu konvertua në shlyerjen për 3 vite rresht shërbim prove.
Vendimi i KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra” për magjistraten M.M., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal.
Në seancën dëgjimore, inspektorët e ILD konkluduan se magjistratja është gjetur fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Apeli, për veprime, të shkallës më të rëndë, siç janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares, e që përbëjnë vepër penale.
Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Kërkesa e ILD-së më 15 shkurt 2024
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashtroi para Këshillit të Lartë Gjyqësor argumentet për fillimin e procedimit disiplinor me iniciativë, ndaj magjistrates M.M. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal.
Magjistratja M.M. është deklaruar fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, konfirmuar edhe nga Apeli.
Gjyqtarja është gjetur fajtore për veprime, të cilat për nga natyra e tyre janë të shkallës më të rëndë, sikundërse janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares. Nga ana e gjykatës është pranuar ekzistenca e këtyre fakteve dhe rrethanave në kryerjen e veprës penale.
Nga hetimi disiplinor, konstatohet se nga ana e magjistrates janë ndërmarrë veprime aktive me anë të kërkimit dhe marrjes së një shume monetare, veprime të kryera gjatë ushtrimit të detyrës dhe me qëllim përfitim të padrejtë prej saj, duke favorizuar një palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimit. Vepra penale është kryer me dashje direkte me motiv kryesor përfitim i një shume monetare përkundrejt kryerjes së një veprimi, konkretisht zbutjen e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi.
Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë.
Sa më sipër Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates M.M. dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.
Akuzat ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka
Më 12 dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimet për gjyqtaren Mimoza Margjeka, të akuzuar për korrupsion, bashkëshortin e saj dhe tre të akuzuar të tjerë.
Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.
Shtetasi Nejton Bali, banues në Sauk, kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij Orion Bali avokatin Skënder Demiraj, i Dhomës së Avokatisë Tiranë, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.
Klaudio Zhilla mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, akuzohet se ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove.
Bashkëshorti i saj Arben Cara është dënuar me 4 vite burg, avokati Skënder Demiraj me 3 vite shërbim prove, Klaudio Zhilla me 3 vite burg dhe shtetasin Nejton Bali me 1.2 vite, konvertuar në shërbim provë për një periudhë kohe prej 2.4 vite.