Byroja Kombëtare e Hetimit ka dalë me një komunikatë për mediat në lidhje me incidentin e regjistruar mbrëmjen e djeshme në Fier, ku disa oficerë të këtij institucioni u dhunuan nga njerëzit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Advertisements
BKH thotë se hetuesit e saj dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të SPAK, teksa pretendojnë se janë sulmuar pa asnjë motiv.
Advertisements
Sipas SPAK, të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Fierit ka arrestuar dy nipat e Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, si dhe shtetasin Gerald Kollçaku.
Në reagimet për mediat, Agron Kapllanaj ka deklaruar se dy herë gjatë ditës së djeshme është shfaqur në vendin e parkimit të firmës së tij një automjet i pa loguar dhe me targa civile. Sipas tij, personat që ishin me atë mjet kanë ngritur një dron dhe nuk janë prezantuar si agjentë të BKH-së, por kanë deklaruar se janë të interesuar për një tokë aty pranë.
Pranë biznesit të Kapllanajt janë dhe zyrat e subjektit të tij politik, ku ish-kryebashkiaku nuk kandidon vetë në këto zgjedhje, por mbështet një kandidat të Enkelejd Alibeajt.
Reagimi i plotë i BKH-së:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.