U kap në Athinë/ Kush është i arrestuari Jani Aliaj, i dënuar për vrasjen e Elton Çiços në 2016

Arrestohet në Athinë i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare Jani Aliaj, i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai u dënua për ekzekutimin e Elton Çiços, më 1 Maj të vitit 2016 në hyrje të ish-Bllokut, brenda një lokali pranë stadiumit “Selmamn Stermasi” në kryeqytet.

Advertisements

Aliaj i cili ka lindur dhe është rritur në Tepelenë, konsiderohet si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptarë dhe drejtues i një organizate të strukturuar, e cila përveç të tjerave, si veprimtari kryesore ka kultivimin dhe trafikimin e drogës. Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 Majit 2016; ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço.

Advertisements

Vrasja në fjalë tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një ambient publik mjaft të frekuentuar nga qytetarët, në zonën e ish-bllokut, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe 1 gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.

Historia e konfliktit mes dy grupeve kriminale me bazë në Tepelenë është shumë më e hershme dhe ka lënë pas, shumë viktima. Si fillesë e kësaj sage hakmarrje mes dy bandave, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj. Por përveç kësaj, policia ka ndjekur edhe pistën e një prishjes së pazareve në trafikun e drogës në Greqi ku të 2 grupet nga Tepelena kanë ushtruar aktivitetin kriminal, prej gati dy dekadash.