Ikonë e filmit dhe teatrit, Margarita Xhepa ka treguar mbrëmjen e kësaj të diele në programin Exclusive fillimet e karrierës së saj. Për herë të parë para publikut ajo doli në moshën 15 vjeçare, e prej atëherë pati suksese të njëpasnjëshme.
Advertisements
Ajo tregoi se vinte nga një familje shumë e varfër dhe kur u shpërngul në Tiranë për të ndjekur ëndrrën e saj, nuk kishte as valixhe.
Advertisements
“Unë kam pasur dhe pak fat. Unë erdha nga Lushnja me 7-vjeçare. Dhe atje jam ngjitur për herë të parë në skenë. Poezinë e kam dashur, nuk kam ditur ta kuptoj rëndësinë e poezisë, por thjeshtë më pëlqenin frazat.
Më doli bursa për në Lice dhe ishte një gëzim i madh. Unë nuk dije kush ishte Migjeni dhe jo më Shekspiri që do të luaja 5 herë në veprat e tij. Erdha në Lice… fati im i madh që tregoi një rrugë të madje në jetën time, ishte në juri Pandi Stillo. Kishte një intuitë të shkëlqyer. Më dha një ushtrim, atë ushtrim nuk e bëra keq, ia mbusha mendjen dhe u bind që kjo ka një emocion dhe më duartrokiti kur mbaroi. Se ishte një akuzë aty, që unë edhe u skuqa, se më akuzuan për një gjë në ushtrim që nuk e kisha bërë, edhe mu këput loti, dhe e mbrojtja veten. Dhe duke mbrojtur veten, tregova dhe grint dhe kjo i pëlqeu.
Më vendosi një dorë të ngrohtë prej babai në sup dhe me tha më prit jashtë. E prita, dhe kur doli më tha: Nesër do vish në Teatrin Popullor se bashkë me drejtorin kemi diçka për të thënë. Drejtori Kol Jakova më priti me buzëqeshje, dhe regjisori i tha që ‘këtë vajzë do ta marrim në Teatër se e pashë dje në provim’. Sepse ata kishin nevojë për një vajzë të re. Unë u shastisa sepse unë vija nga një familje shumë e varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha”, rrëfen ajo.
Aktorja Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934. U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.
Në skenën e teatrit, Xhepa ka mishëruar mbi 150 role, mes të cilave veçojmë: Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936 (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.