U vetëdorëzua në polici pas vendimit të Apelit, Ervin Salianji do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit! Deputeti i PD-së afat 45 ditë për ankimim në Gjykatën e Lartë

by editor

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg, deputeti demokrat Ervin Salianji u vetdorëzua dje në Policinë e Tiranës.

Advertisements

Salianji zgjodhi të përballet me vendimin e Gjykatës dhe t’i qëndrojë deri në fund denoncimit që kishte bërë 6 vite më parë. Nga selia e PDsë, me makinën e tij, i shoqëruar nga dy persona ai iu drejtua Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty gjeti demokratët për të cilët tha se kishte sakrifikuar aq shumë. Ndërsa një mesazh e pati edhe për qytetarët shqiptarë.

Advertisements

“Në përballje me regjimin, secili merr kostot e tij. Unë e di se shumë prej miqve që janë mbledhur këtu në mënyrë rastësore apo shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë në mënyrë të përditshme që ju bën nëpërmjet institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, policisë, nëpërmjet varfërisë që ka mbjellë kudo dhe nëpërmjet banditëve që ka mbjellë kudo. Ne do i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë!”, u shpreh Ervin Salianji.

Në Drejtorinë e Policisë ishin marrë të gjitha masat për shoqërimin e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit. Para se të mbyllte ditën e ngarkuar të së premtes, ai përshëndeti nga dyert e Policisë demokratët që e inkurajuan dhe mbështetën në rrugëtimin e tij politik. Salianji u tha mbështetësve se në përballje me regjimin secili merr kostot e tij. Salianji u shpreh me bindje se do i çmontojnë banditët teksa ka shtuar se dita e demokratëve do të vijë.

“Në përballje me regjimin, secili merr kostot e tij. Unë e di se shumë prej miqve që janë mbledhur këtu në mënyrë rastësore apo shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë në mënyrë të përditshme që ju bën nëpërmjet institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, policisë, nëpërmjet varfërisë që ka mbjellë kudo dhe nëpërmjet banditëve që ka mbjellë kudo. Ne do i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë!”, deklaroi Salianji.

Më herët teksa doli nga selia e PD-së drejt Drejtorisë së Policisë, Salianji u shpreh: “Do të përballem kudo që këta kërkojnë dhe në këtë pengmarrje banditeske, do ta bëj betejën aty”.

“Beteja do të jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë të gjithë qytetarët. Ka më të mirë se ata, ne jemi më të mirë se ata. Vendosim sakrificën, duke sakrifikuar lirinë për të thënë të vërtetën. E vërteta do të triumfojë, si protesta e opozitës në 6 tetor. Sot nuk kam dashur të lajmëroj asnjë lloj proteste. Miq të cilët kanë lajmëruar, janë të mirëpritur. Protestat do të jenë të mëdha. Ju falënderoj të gjithë mediat që kanë qenë aleatë të rëndësishëm në demaskimin e kësaj ngjarje dhe në pasqyrimin e ngjarjes, do të shihemi shpejt!”

Më herët në një koferencë për mediat, Salianji risolli në kujtesë denoncimin për çështjen e njohur si “Babalja” në vitin 2018 duke thënë se në atë kohë për rreth 3 ditë, nuk pati asnjë reagim nga qeveria.

“Vendimin e mori, kënaqësi mori, burgun e dha, hoqi mundësinë për të garuar në zgjedhjet e 2025-ës. Frikën e qetësoi, pse ishte kaq i tërbuar Edi Rama dje, çfarë e shqetëson? Pas publikimit të këtij denoncimi, si Agron Xhafaj, trafikant ndërkombëtar si vëllai i tij dhe kryeministri Rama nuk reaguan për 3 ditë me radhë. U fshehën dhe pavarësisht deklaratave të vazhdueshme nga selia e PD për përgjegjësi publike për rastin, ka pasur 0 reagim. Afërmendsh që në rast se do ishte diçka e rreme, do dilnin e do thoshin që personi në atë audio nuk jam unë, nuk ndodhi kjo, por ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk bëri hetim penal, duke e lënë trafikantin të largohej nga Shqipëria, e përgënjeshtroi zërin me shkrim. Pasi e bënë gjithë projektin se si do montohej kjo çështje, dolën në deklarim publik”, deklaroi ai.

Sipas Salianjit, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllai i tij i shpëtuan hetimit penale për trafik droge.

“Si Rama, Xhafaj, të dy me një qëllim për të mbrojtur banditët dhe kriminelët që u shërbejnë. Si PD dhe unë personalisht e kisha denoncuar qindra herë çdo grup kriminal, çdo grup famëkeq në këtë vend, çdo bandit, çdo ministër të korruptuar. Të vënë përballë provave të pakundërshtueshme, Geron Xhafaj nga i pafajshëm u dorëzua në Prokurori dhe u kthye në Itali për të kryer dënimin. Edhe në këtë rast u shkel ligji vetëm që Fatmir e Agron Xhafaj t’i shpëtonin hetimit penal për trafik droge. Denoncimi me fakte që gjykata e quan kallëzim të rremë i ndërpreu karrierën politike Xhafajt dhe i dëmtoi reputacionin trafikantit të drogës. Ec e merre vesh…”, u shpreh Salianji.

Ai theksoi se nuk po shkon në burg si një kallëzues i rremë, por si politikan i ri që ka dëshmuar gjithçka ka thënë me prova.

Grupi i PD po përgatit padi në SPAK ndaj Fatmir Xhafaj

Grupi i PD-së po përgatit një padi për në SPAK, ndaj ishministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Demokratët kërkojnë hetim pasuror ndaj tij si subjekt i ligjit antimafia. Përpos kësaj e akuzojnë për falsifikim, pengim të së vërtetës dhe shpërdorim detyre. Ende nuk dihet kur do dorëzohet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kjo padi, teksa eksponentë të djathtë janë parë pak minuta më parë në rrugicën e banesës së kreut të PD, Sali Berisha.

Gjatë ditës së djeshme demokratët kërkuan edhe mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve, por kryetarja e Kuvendit ka dhënë përgjigje negative. Grupi i PD thotë se sipas ligjit për të arrestuar deputetin Ervin Salianji, nevojitet autorizimi i Kuvendit. Në shkresën zyrtare drejtuar Elisa Spiropalit thuhet po ashtu se vendimi i Apelit të Tiranës ndaj tij është në kundërshtim me ligjin.

“Sipas nenit 73, pika 2, deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik”, thuhet në shkresë.

Duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore sipas demokratëve, kërkohet pa vonesë mbledhja urgjente. Por kryeparlamentarja refuzoi kërkesën e PD-së.

PD nis mosbindjen civile

Partia Demokratike paralajmëroi dje nisjen e mosbindjes civile duke iu rikthyer bllokimit të Kuvendit. Përpos protestës, PD pritet që të përshkallëzojë aksionin politik edhe në Kuvend.

Vendimi i demokratëve vjen pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me 1 vit burg. Por gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar pati propozime të ndryshme si kundërreagim ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Grupi në mënyrë unanime sugjeroi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje të të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar të PDsë”, deklaroi kreu i deputetëve demokratë Gazment Bardhi.

Pavarësisht vendimit unison të grupit parlamentar për të mos njohur atë që e quajnë vendim politik të Edi Ramës, vetë Ervin Salianji i ka dalë kundër kolegëve të tij duke iu mbajtur deklaratave se do të përballej me atë që e quan regjim dhe do të vetëdorëzohej për të pranuar vuajtjen e dënimit.

“Në këtë rast, ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të deputetit Ervin Salianji”, u shpreh ai. Por pas burgosjes së Salianjit, demokratët kanë vendosur t’i rikthehen bllokimit të parlamentit.

“Nga ky moment, nuk ka për të pasur asnjë marrëdhënie normale, institucionale me shumicën. Kërkesat e PD-së janë rikthimi i kushtetutshmërisë në vend, lirimi i çdo të burgosuri politik”, theksoi Gazmend Bardhi.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, përveç Edi Ramës, për të cilin do të nisin protestat masive në 6 tetor për ta rrëzuar nga pushteti, selia blu nga dita e djeshme ka shpallur armiq dhe 3 gjyqtarët që dhanë vendimin e dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

“Secili prej tyre, nga sot është armik i PD-së dhe do të trajtohet si pjesë e organizatës kriminale që drejtohet nga Edi Rama”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së. Demokratët, vuajtjen e dënimit të padrejtë, sipas tyre ia njohin si sakrificë në emër të luftës kundër krimit të lidhur me pushtetin e Ramës kolegut të tyre, aq sa sot ndihen të gjithë Ervin Salianji.

“Do të jemi të gjithë Ervin Salianji, pa diskutim”, u shpreh Bardhi. Kreu i Grupit Parlamentar të PDsë, hodhi akuza ndaj kryeministrit në lidhje me dënimin me burg të Ervin Salianjit, lidhur me dosjen “Babale”. Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat në selinë e PD-së, Bardhi është shprehur se me burgosjen politike të Salianjit, kryeministri Rama nuk tremb askënd.

“Do të shkojë në burg Artan Gjermeni, për faktin se i ka shërbyer si një shërbëtor i rëndomtë bandave më të rrezikshme. Do të shkojë në burg. Vetingun do ia bëjë PDja. Nuk mund të kalosh vijat e kuqe dhe të keqpërdoresh si një bandit. Ka marrë lekë Ervin Salianji, apo kanë dhënë lekë zyrtarët e policisë për llogari të Fatmir Xhafajt? Kush ka dhënë lekë? Keni dëgjuar SPAK ta thërrasë Ballën? Doli në seancë plenare dhe tha “unë e di kush është i paidentifikuari në dosjen e “Xibrakës”. E mbani mend apo jo? A keni dëgjuar SPAK ta thërrasë se kush është ky person sepse plani ishte të gjenin një aktor? Nuk ka dalë kurrë blof PD-ja me asnjë denoncim të saj. E vërteta vonon, por del në sipërfaqe. Këta e kanë bërë llum sa nuk ka propagandë që llumin ja përkthen në ar. Sot jemi të gjithë Ervin Salianji pa asnjë diskutim. Deputeti Salianji ka dorëzuar një amendament që asnjë deputet i Kuvend të mund të përfitonte nga amnistia”, tha Bardhi.

Kryeministri: Dënimi i një shpifësi, lajm i mirë për demokracinë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj dje kritikave ndaj tij pas reagimit mbi dënimin e deputetit Ervin Salianji.

Reagimi i kryeministrit shkaktoi debate të shumta në rrjet dhe në studiot televizive një ditë më parë, ku kreu i qeverisë e konsideronte të ligjshëm vendimin e Apelit për ta dënuar me 1 vit burg deputetin. Ai thekson se nuk i vë në diskutim vendimet e organeve të drejtësisë dhe nuk i komenton kur ato nuk janë të formës së prerë, por “kur janë të formës së prerë nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim”. Në një postim në rrjetin social “X”, Rama shprehet se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për demokracinë.

“Heroizmi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke çoroditur opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës ‘Babale’, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë, që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallëzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës! Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve, sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet liri shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie”, theksoi Edi Rama.

Ndër të tjera, kryeministri e quan këtë një viktimizim të një të dënuari për një vepër të turpshme. Rama theksoi se jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit.

“Jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit; jo më kot shpifja konsiderohet në botën demokratike si një vepër e dënueshme dhe si një helm prej të cilit janë ruajtur me fanatizëm organet e shtypit, deri kur bota mori kot nëpër oqeanin e mediave e të rrjeteve sociale, ku shpifja është kthyer në peshkaqenin më të frikshëm; jo më kot njerëzia në vendin tonë është lemerisur nga prurjet e shpifjes nëpër ekranet e kanalet e rrjeteve sociale. Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumente”, shprehet ai.

Rama përmendi se: “Faktet e argumentet duan punë e aftësi të tjera nga aftësia për të shpifur, që i shkon për shtat çdo humbësi në betejën politike e çdo dembeli të paguar për të informuar publikun, për të cilin shpifja është një depo e pambarimtë municioni në shpirtin e zymtë dhe mendjen e ngushtë. Por nuk ka asnjë diskutim se për çdo njeri normal, që meriton të informohet lirisht për faktet dhe të ketë mundësinë ta ndjekë jetën publike e politike, pa u marrë zvarrë nëpër lumenjtë e llumit të shpifjeve e sherreve me libër shtëpie, vendimi i djeshëm i gjykatës ishte një lajm i shumëpritur pozitiv. Sa për mua që nuk i komentoj vendimet e gjykatave, kjo vlen gjithnjë kur ato vendime nuk janë të formës së prerë, apo edhe kur mund të mos më bindin personalisht, sepse kurrë nuk mund t’i vë në diskutim punët e drejtësisë, por nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim kur drejtësia bën drejtësi deri në fund. Kështu që heroin e saj të ri Mbretëria e Shpifarakëve mund ta ngjisë edhe krah për krah penxheres së katit të tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike”.

Ervin Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Apelit në lidhje me çështjen “Babale”, dënim që do ta vuajë në burgun e Fierit. Pasditen e djeshme demokrati i shoqëruar nga kolegë dhe juristë la ambientet e selisë së PD për t’u vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Në një deklaratë për mediat, Salianji tha se betejën me regjimin do ta bëjë edhe nga qelia. Ndërkohë, në hyrje të Drejtorisë së Policisë, Salianjin e prisnin dhjetëra simpatizantë demokratë. Menjëherë pas kësaj deklarate, Salianji u përshëndet me mbështetësit PD-së dhe u vetëdorëzua në ambientet e Policisë së Tiranës, ku pas kryerjes së procedurave, u nis drejt burgut të Fierit.

/Gazeta Panorama

You may also like