U zhduk së bashku me fadromën pas shembjes së masivit të kromit, familjarët e 29-vjeçarit ende asnjë shenjë nga i riu pas 48 orësh: Shteti të na ndihmojë, të paktën të gjejmë trupin e tij

Kushëriri i 29-vjeçarit Ardit Beshiri që u zhduk së bashku me fadromën pas shembjes së masivit të kromit në Klos, ka kërkuar nga shteti ndihmë.

Advertisements

Kur kanë kaluar 48 orë nga ngjarja, ende nuk dihet asgjë mbi fatin e të riut, ndërsa kushëriri i tij u shpreh “të paktën të gjejmë trupin”.

Advertisements

Ai deklaroi se kërkohen aparatura të posaçme për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit, duke shtuar se “terreni është i thyer, makineritë nuk hyjnë dot”.

“Arditin e kam djalë daje. I bëjmë thirrje shtetit që të ndërhyjë dhe të na sjellë aparatura përkatëse, të paktën të gjejmë trupin. Është fatkeqësi për familjen tonë, shteti të na ndihmojë, të paktën të gjejmë trupin. Ju lutem, shtetit, institucioneve përkatëse që të na sjellin aparaturat. Dimë që është një kompani turke që ka aparaturë, kemi marrë vesh që ka ndodhur një rast i tillë në Vaun e Dejës dhe e kanë gjetur trupin. Deri më tani janë vullnetarë, janë edhe disa ushtarë, policia është këtu, por janë njerëz si puna jonë dhe nuk besoj që ndihmojnë dot, duhen patjetër aparatura.

Duhet patjetër të ndërhyjë shtetit, terreni është i thyer, makineritë nuk hyjnë dot. Ledha ka shkuar deri në 8 km, kështu është pothuajse e pamundur.

Deri tani janë gjetur disa pjesë të copëtuara të fadromës, situata është më serioze se sa mendojmë”, tha ai.

Prej dy ditësh, vijon pa ndërprerje operacioni i kërkim-shpëtimit për Ardit Beshirin, i zhdukur pas çarjes së një rezervuari uji pranë fabrikës së përpunimit të kromit në zonën e Qafë-Burrelit.

Rezervuari i mbushur me ujë është çarë, duke shkaktuar një vërshim të fuqishëm që përfshiu zonën ku ndodhej 29-vjeçari, i cili po punonte me një fadromë.

Ekipet e kërkimit deri më tani kanë gjetur vetëm disa pjesë të mjetit ku ndodhej Ardit Beshiri, por asnjë gjurmë të të riut.