Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi se kur flet për ekonominë bazohet në përvojën e tij personale, si një sipërmarrës që ka mbërritur aty ku ndodhet sot nga hiçi, krah njerëzve që punojnë dhe jo me përfitime tenderash apo me pazare. Në një video mesazh në rrjetet sociale, kreu i “Mundësia” shprehet se politika të cilës ai i beson është ajo që kërkon t’i kuptojë qytetarët dhe jo të mbajë fjalime para tyre.
Advertisements
“Në këtë fushatë nuk kam dalë për të folur më shumë, por kam dalë për të dëgjuar, sepse unë nuk jam një politikan në profesion, nuk jam rritur në parti, nuk jam rritur me fjalime, jam njeri i punës, jam sipërmarrës, jam mësuar të krijoj nga hiçi, me punë, me ide, me njerëz, jo me tendera, jo me miq, jo me pazare.
Advertisements
Dhe kur flas për ekonomi, për projekte, për shtet të vogël, flas se i kam përjetuar vetë, jo se i kam lexuar në libra. Çdo ditë jam në rrugë, në biznese, në dyqane, mes njerëzish që kërkojnë t’ja dalin vetë, me punë dhe me sakrifica, jam mes tyre jo për të premtuar, por për të dëgjuar. Nuk flas me megafon, nuk bërtas për vëmendje, unë preferoj të dëgjoj sepse besoj që politika e re nuk fillon me fjalë, por me vepra.
Ndryshimi nuk vjen nga ata që sillen sikur i dinë të gjitha, por nga ata që pyesin ‘si je’, ‘si po shkon puna’, ‘çfarë të pengon t’ja dalësh’, ‘çfarë të pengon të rritesh’? Kjo është politika që unë besoj, jo ajo që mban fjalime, por ajo që kërkon të të kuptojë”, shprehet Shehaj në video mesazh. Agron Shehaj garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit me partinë Mundësia që në fletën e votimit mban numrin 10. Shehaj e ka orientuar fushatën e tij në takimet çdo ditë të njerëzve në rrugë apo bizneset ku ata punojnë, për të parë e dëgjuar nga afër nevojat dhe sakrificat e tyre.