Vala “Cerberus” sjell temperatura të frikshme edhe në Shqipëri, kjo do të jetë dita më e nxehtë sipas meteorologes Lajda Porja

by editor

Qytetarët po përjetojnë dukshëm ndër ditët më të nxehta të kësaj vere. Nga e marta edhe Shqipëria është përfshirë nga vala e të nxehtit Cerberus, valë që ka mbërthyer Europën Jugore.

Advertisements

Vala e të nxehtit “Cerberus”, e quajtur sipas përbindëshit me tre koka Cerberus, i gjetur në Ferrin e Dantes, do të sjellë kushte ekstreme gjatë ditëve në vijim.

Advertisements

Këtë të enjte termometri në vend shkoi deri në 41 gradë Celsius në hije, për të kulmuar të premten me 42 gradë.

“Nesër do thoja është dita më e nxehtë e javës. Elbasani, Gjirokastra, Kuçova, Berati presin vlerën 42 gradë, mund të tejkalohet edhe kjo vlerë. Tirana, Fieri, Lushnja dhe gjithë ultësira perëndimore do shënojnë 40 apo lehtësisht mbi 40, pak më freskët bregdeti, problematike situata në Kukës dhe Has me temperatura të larta”, tha meteorologia Lajda Porja.

Advertisements

Kjo valë e të nxehtit me temperatura ekstreme pritet të qëndrojë gjatë në Shqipëri deri në fund të muajit Korrik.

“Pritet që kjo valë jo vetëm të jetë e gjatë, po të jetë edhe shumë e egër. Është quajtur vala Cerberus, ose ndryshe qeni i ferrit me tre kokë, për shkak se ka tre kulme të nxehtësisë. Kulmi i parë do jetë ditën e nesërme.”

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë gadishullin Iberik, Italinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Turqinë janë pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Temperaturat ekstremisht të larta që priten përgjatë kësaj vale do jenë Italia Jugore, Veriu i Greqisë, Maqedonia e Veriut, dhe Turqia jo vetëm do shënojnë vlera 42 gradë po mund të thyejnë edhe rekorde historike.”

Piku i vapës do jetë nga ora 12 deri në 14, orar për të cilin rekomandohet reduktimi i lëvizjeve.

Temperaturat e frikshme që priten në Europë

Një valë të nxehti po prek pjesë të Evropës Jugore dhe Afrikës veriperëndimore, me potencial për të thyer temperatura rekord në ditët në vijim, raporton agjencia BBC.

Temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë. Në Itali, temperaturat mund të arrijnë pothuajse 49 gradë, dhe një alarm i kuq i motit është në fuqi në 10 qytete, përfshirë Firencen dhe Romën.

Mediat vendase raportuan se këtë javë një 44-vjeçar, i cili po lyente një vendkalim këmbësorësh në afërsi të Milanos, është rrëzuar nga vapa dhe më pas është dërguar në spital ku ka ndërruar jetë.

Disa turistë tashmë janë shembur për shkak të temperaturave të larta, duke përfshirë një britanik jashtë Coloseu-t në Romë.

Temperaturat pritet të arrijnë kulmin të premten, por vapa do të vazhdojë edhe në fundjavë.

Temperatura më e lartë në Evropë prej 48.8 gradë Celsius u regjistrua pranë Sirakuzës në ishullin italian të Siçilisë në gusht të vitit 2021.

Vitin e kaluar, më shumë se 61,000 njerëz vdiqën si pasojë e valëve të të nxehtit të verës në të gjithë Evropën, sipas një studimi të botuar së fundmi në revistën Nature Medicine.

You may also like