Me ardhjen e tij në pushtet, presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një sërë urdhrash ekzekutivë të cilët ndryshuan ekuilibrat e vendosur në rang global.
Advertisements
Në një prej këtyre urdhrave parashikohet dëbimi i emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Advertisements
Nga ky urdhër preken edhe 1874 shqiptarë, të cilët ndodhen mes 1.4 milionë emigrantëve të paligjshëm në SHBA.
I pyetur në një studio televizive, rreth fatit të këtyre emigrantëve, ministri i Jashtëm Igli Hasani deklaroi se ai në asnjë rast, qoftë këtu edhe kur bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë, nuk e mbështet paligjshmërinë.
“Duhet të rregullojmë mundësitë që kanë të bëjnë me përfaqësimin e shqiptarëve atje ku ata vendosen. Por asnjëherë në mënyrë të paligjshme,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ministri shtoi se pavarësisht se cilët janë në pushtet përtej oqeanit, demokratë apo republikanë, Shqipëria ka një marrëdhënie shumë të fortë dhe shumë të konsoliduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi një nga vendet më pro-amerikane në botë. Kjo marrëdhënie reflektohet në të gjitha fushat,” shtoi ai.
Ndërsa, i pyetur rreth fjalës kyçe dhe kryepremtimit të kësaj fushate zgjedhore për socialistët, “pasaportës europiane”, Hasani deklaroi se është në duart e tyre që, siç u shpreh ai, “kjo ëndërr të bëhet realitet.”
“Për ne dhe vendet anëtare të BE, merita është kryesore dhe ne këtë po përpiqemi të tregojmë. Se ne, për shkak të meritës, dhe jo për shkak të ndonjë konfigurimi të caktuar, jemi ata që jemi dhe do të vijojmë te pedalojmë fort, për të plotësuar sa më shpejt ato që duhet të bëjmë.”
Në proceset integruese, ministri Hasani theksoi se Shqipëria gëzon edhe mbështetjen nga Berlini. Duke shtuar se me qeverinë e re gjermane, qeveria shqiptare do të punojë krah për krah, në mënyrë që edhe me ndihmën e Procesit të Berlinit, integrimi të jetë sa më i shpejtë.