Këtë të martë, Gjykata e Apelit ka nisur gjyqin për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, e cila prej 3 vitesh pretendohet se i takon Grupimit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha.
Advertisements
Ndërkohë Lulzim Basha, referuar regjistrimit të Partive politike njihet si kryetari legjitim i PD-së, duke bërë kështu që vulën dhe logon e kësaj Partie, ta kontrollojë ai dhe mbështetësit e tij, në atë që njihet si PD zyrtare.
Advertisements
Çështja në Apel po shqyrtohet nga një treshe gjyqtarësh me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Vendimi që do të marrë kjo treshe gjyqësore do të jetë një vendim i formës së prerë. Pasi u këshilluan në dhomë këshillimi për të marrë vendim, nëse do të legjitimojë palën e PD zyrtare në këtë proces.
Pas shqyrtimit mes trupës gjykuese, gjykata vendosi të rezervojë të drejtën për t’u shprehur për kërkesën në fund të çështjes, me shkrim.
“Vendimin nuk do e shprehim, pasi rezervojmë të drejtën për t’u shprehur për kërkesën e bërë nga Rithemelimi për të mospranuar PD-në zyrtare në çështje, në vendimin përfundimtar”, u tha në qëndrimin e palës gjykuese.
Ndërkohë, gjyqi po vijon me parashtrimet e pretendimeve të palëve. Duke iu referuar procedurave ligjore, Gjykata ka të drejtë që për kërkesa të tilla të mos shprehet, por të shprehet në fund të çështjes me shkrimin, në vendimin përfundimtar.
PRETENDIMET E PALEVE PËR VULËN
Që në nisje të seancës, Ivi Kaso paraqiti një kërkesë paraprake të mos pranohet ankimimi i Enkelejd Alibeajt me pretendimin se nuk legjitimohet si palë dhe lënien në fuqi të vendimit ‘Zhukri’ dhe njohja e vendimeve te Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021. Sakaq, kësaj kërkese, përfaqësuesi i PD zyrtare, Kthupi i përgjigj se; Kërkesa e palës tjetër nuk është e mbështetur në ligj, ndaj kërkojmë rrëzimin e saj. Sakaq, Të njëjtën gjë kërkoi dhe Indrit Sefa, i cili pretendoi se duhet të vijohet me shqyrtimin në themel të çështjes.
Gazetari Osman Stafa raporton se të pranishëm nga PD e Rithelemuar janë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, Luciano Boci, Luan Baci dhe Elda Hoti.
Përfaqësuesit ligjor janë Oerd Bylykbashi e Ivi Kaso. Ndërkohë nga PD e Bashës, përfaqësues ligjor janë Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa i pranishëm është edhe anëtari i Kryesisë Endri Hasa.
Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha, ka arritur që të ketë nën kontroll numrin më të madh të deputetëve të dalë në zgjedhjet e fundit parlamentare (2021) nën siglën e PD-së.
Gjithashtu Berisha, pavarësisht se nuk u përfaqësua me logon e PD në zgjedhjet e fundit lokale, arriti të marrë rreth 500 mijë vota, nën siglën e një koalicioni që u mbështet nga LSI (PL e sotme), PBDNJ dhe parti të tjera opozitare.
Pikërisht kjo është teza në që përplasjet që Berisha apo mbështetës të tij kanë pasur me Lulzim Bashën apo grupimin e tij, kanë përdorur në debatin se kujt i përket vula zyrtare e PD-së.
Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë shumicën e demokratëve dhe në kushte të tilla vula i përket pikërisht atyre. Në anën tjetër, Basha u rikthye në krye të PD-së pas një tërheqjeje pothuajse 1 vjeçare, duke ia deleguar drejtimin e partisë, Enkelejd Alibeajt.
Përplasjet në PD nga shtatori i 2021 deri në ditët e sotme kanë prodhuar lëvizje nga njëri krah në tjetrin të disa prej emrave dhe figurave të kësaj partie.
Kështu Gazment Bardhi, i cili në kohën kur Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar ishte Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Bardhi u rreshtua ndër kundërshtarët më të ashpër të Berishës.
Me kalimin e kohës ai iu bashkua grupimit të drejtuar nga ish-kryeministri bashkë me shumë emra të tjerë ligjvënësish, në atë që u konsiderua si “bashkimi në diversitet mendimesh”. Dhe ofrimi me krahun e Berishës nartyrisht që krijoi përplasjen mes Bardhit dhe mbështetësve të Bashës, por ai vijoi të mbante pozicionin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së. Dhe si për ironi, nëse në kohën kur ishte në krah të Bashës firmoste largimin nga Grupi i PD-së të deputetëve që ishin në krah të Berishës, sot është i njëjti që kërkon përjashtimin e deputetëve nga grupi, sepse janë në krah të Bashës.
Gjykimi për vulën
Çështja për vulën e PD u gjykua në dhjetor të 2023-it në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi ta rikthejë çështjen në Apel. Në vendimin e marsit 2024, Gjykata e Lartë kërkon një gjykim themeli, me një tjetër trupë gjykuese, nga ajo që kishte shqyrtuar njëherë këtë çështjes.
Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë”, – thuhet në vendim.
Gjithashtu, gjykata thekson se rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Në këtë kuvend është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH te të tretët. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi nga kryetari i PDSH Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti Enkelejd Alibeaj.
“Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se kërkesa për heqje dorë nga funksioni i kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike”, – citohet vendimi i Gjykatës së Lartë.
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka në favorin e tij një vendim të dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri, i cili njohu Rithemelimin dhe Kuvendin e zhvilluar më 11 dhjetor 2021, në kulmin e përplasjeve mes Berishës, të cilin Lulzim Basha me një vendim të 9 shtatorit të të njëjtit vit e përjashtoi nga grupi parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi i Zhukrit u apelua në atë kohë nga grupimi i Lulzim Bashës, ndërsa çështja për vite mbeti sirtarëve të gjykatave.
Nuk dihet se çfarë vendimi mund të marrë nesër Apeli, apo edhe sa kohë duhet që kjo çështjes të marrë një zgjidhje ligjore, por nga grupimi i Berishës janë dhënë sinjalet që çështjen do e dërgojnë në Strasburg.
Prej kohësh grupimi i Berishës akuzon se drejtësinë e kontrollon Kryeministri. Dhe në vijim të akuzave, aludohet se Kryeministri me ndikimin e tij në drejtësi, do të favorizojë Lulzim Bashën, duke i dhënë vulën. Në kushte të tilla, duket se është përgatitur terreni edhe nëse vendimi shkon në favor të Bashës dhe grupimit të tij, ndërsa është paralajmëruar se beteja do të vijojë në Gjykatat Ndërkombëtare.