Veriu i Shqipërisë, rajoni më i varfër në Europë sipas Eurostat

by editor

Veriu i Shqipërisë bashkë me Rajonin e Vanit në Turqi rezultojnë të jenë më të varfrit në Europë, bazuar në treguesin e të ardhurave për frymë i matur nga fuqia blerëse në raport me mesataren e BE, referon Vjetari rajonal 2024 i Eurostat.

Advertisements

Sipas Eurostat, fuqia blerëse në Rajonin e Veriut të Shqipërisë (Durrës, Dibër, Kukës, Lezhë dhe Shkodër) është sa 25% e mesatares së BE-së, duke lënë pas vetën Rajonin lindor të Vanit në Turqi me 24% të mesatares së BE.

Advertisements

Konvergjencën më të madhe me nivelin ekonomik të BE e ka rajoni i Qendrës së vendit me qarqet e Elbasanit të Tiranës. Në këtë rajon, fuqia blerëse është sa 38% e mesatares së BE raporton Eurostat, i cili referon se edhe Rajoni i Jugut në Shqipërisë (Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë) ka fuqinë blerëse sa 28% e mesatares së BE më 2022, një nga më të varfrat në Europë.

Në total, Shqipëria ka të ardhurat për frymë në raport me fuqinë blerëse sa 34% e mesatares së BE në vitin 2022. Ndonëse ekonomia jonë po rritet më shpejt sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Advertisements

Të dhënat tregojnë se po thellohen diferencat rajonale brenda vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT ekonomia e vendit u rrit me 27,8% nga 2011 më 2021, ndërsa PBB e Rajonit të Veriut u rrit me vetëm 16.4%.

Brenda rajonit të Veriut, ecurinë më të dobët e ka Qarku i Kukësit, ekonomia e të cilit ka pësuar rënie me 6.6% në dekadën e fundit. Ndërsa rritja reale e PBB-së në rajonin Shkodër ishte vetëm 1.7% gjatë 2011-2022 në një kohë që ekonomia kombëtare u rrit me gati 28%.

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare.

Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Në Shqipëri mungojnë politikat e zhvillimit rajonal dhe shpesh financimet e qeverisë qendrore nuk kanë shpërndarje të drejtë në raport nevojat. Psh pavarësisht se të dhënat zyrtare tregojnë se Kukësi dhe Shkodra po përkeqësojnë nivelin e tyre ekonomik, qeveria çon investimet në qarqe që kanë më pak nevoja lokale dhe kanë potenciale më shumë për tu zhvilluar.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2023 në 12 bashkitë e mëdha të vendit, që përfaqësojnë qendrat e prefekturave, u investuan gjithsej 16,6 miliardë lekë (fondet e veta + transferta e buxhetit qendror) nga 31,6 miliardë lekë të planifikuara.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë e Veriut kishin një realizim më të mirë të fondeve në raport me programin krahasuar me bashkitë e tjera./Monitor

You may also like