Mjekja pediatre Sonila Brati thotë se pavarësisht se shkollat janë mbyllur dhe çerdhet dhe kopshtet nuk janë në kapacitete të plota, situata e virozave është e ngarkuar.
Advertisements
E ftuar në një intervistë televizive, mjekja tha se periudha aktuale është e ngarkuar me viroza të shoqëruara me temperatura të larta te fëmijët që shkojnë 39-40, të cilat janë në kuadrin e një situate virale dhe më tej mund të komplikohen me bronkite apo pneumoni.
Advertisements
“Temperaturat vazhdojnë dhe dy tre ditë edhe pas nisjes së antibiotikëve.
Një fëmijë nëse bën temperaturë 39-40 gjatë natës, mirë është që të nesërmen në mëngjes të shkojë te mjeku, në mënyrë që të trajtohet më shpejt dhe të mos vazhdojë një javë apo dhjetë ditë.
Duhet të drejtohen në rastin e temperaturave të larta. Nuk duhen neglizhuar temperaturat e larta te fëmijët.
Më pas do të jetë mjeku ai që do të vendosë nëse do të ndjekë mjekim.
Se ndodh që prindërit i lënë dy apo tre ditë në kushte shtëpie dhe i çojnë në spital në fazë më të agravuar.
Edhe ajo kolla që duket si një kollë që mund të iki, mund të shkojë edhe ndonjë bronkopneumoni virale edhe pse pa temperaturë.
Ne mundohemi që pjesën më të madhe të rasteve t’i trajtojmë vetë, pa i dërguar në QSUT, për shkak të mbingarkesës atje. Pediatria është plot.
Dërgojmë vetëm raste të rënda dhe kur ka komplikime. Edhe në janar vazhdon fluksi.
Janari do jetë periudha më e vështirë, edhe sepse fëmijët do kthehen në shkolla. Kemi grip, kemi viroza.
Kemi fëmijë me bajame të qelbëzuara. Kemi edhe fëmijë me bark dhe të vjella që nuk janë tipike për stinën, pasi dominojnë kryesisht gjatë sezonit të verës.”
Ndërsa sa i takon infeksioneve nga lija, Brati tha se variçela është një patologji e cila nuk ka një periudhë të caktuar se kur mund të shfaqet, siç nuk kanë kohë dhe virozat, por se aktualisht ka arritur kulmin.
“Lija qarkullon kudo në çerdhe në kopshte, transmetohet nga një fëmijë te tjetri.
Është më mirë që fëmija ta kalojë në moshë sa më të vogël, pasi e kalon më lehtë.
Në momentin që fëmija diagnostikohet është mirë të izolohet në shtëpi për 10-14 ditë që mos të përhapet infektimi.
Variçela ka qenë në çdo periudhë të vitit, por kjo është koha kur kemi patur më shumë raste.”