“Virusi i etheve të Nilit kalon pa simptoma në 80% të rasteve”, doktor Vasil Llajo: Nëse pacienti nuk ka shenja…

by editor

Pas rikthimit të “Etheve të Nilit” pas 13 vitesh në Shqipëri dhe në rajon, doktor Vasil Llajo ka sqaruar se çfarë është ky virus, simptomat që jep dhe se si kurohet.

Virusi i Etheve të Nilit Perëndimor, Dr. Vasil Llajo

Advertisements

Në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit qarkullon muajin e fundit virusi i Etheve të Nilit Perëndimor. (WEST NILE VIRUS). Ai transmetohet nga pickimi mushkonjave të zakonshme të “infektuara”.

I takon familjes së Arbovirus-eve me gënome monoklonale të ARN-së. U izolua për herë të parë në zonën e Nilit Perëndimor në Uganda më 1937, nga ku mori dhe emrin.

Advertisements

Në 80% të rasteve prekja është pa simptoma, në 20% shkakton temperaturë, dhimbje koke, të vjella, dobësi muskulare, ekzanteme në lëkurë (kryesisht shpatull dhe gjoks).

Në 1% të rasteve mundet të manifestohet me prekje të sistemit nervor qendror si encefalitis, meningitis, shumë rrallë dhe vdekje (më pak se 1/1000 raste).

Advertisements

Mushkonjat e marrin virusin nga gjaku i zogjve të infektuar me këtë virus. Zogjtë janë dhe mbartës të virusit. Nuk ka vaksinë për njerëzit. Nuk ka as terapi specifike.

Mjekimi është simptomatik dhe përcaktohet nga klinika dhe graviteti i saj.

Testet Laboratorike që kryhen në këtë rast janë antikorpet IgM dhe IgG. Antikorpet IgM shfaqen 8 ditët e para pas prekjes nga virusi. Bëhen në gjak dhe në likidin cerebrospinal (për të sëmurët që kanë prekje të sistemit nervor qendror).

Analiza e antikorpeve IgM është analiza e parë e cila kryhet te pacientët që kanë shfaqur simptoma. Vlen të theksohet se nqs pacienti nuk ka simptoma, nuk rekomandohet kryerja e këtyre testeve.

Prezenca pozitive e IgM ( IgM pozitiv) tregon se pacienti është i prekur nga virusi. Nqs prezenca e antikorpeve IgM del negative, kjo analizë përsëritet pas disa ditëve.

Gjithashtu bëhet dhe IgG, njëkohësisht me IgM. Kur të dyja janë pozitive tregon prekje të tanishme të organizmit nga ky virus.

Prezenca vetëm e IgG ( IgG pozitiv) tregon një prekje më të hershme nga virusi, muaj ose vite më parë.

Megjithatë, mundet që pas javës së tretë nga shfaqja e simptomave, IgG të jetë pozitive dhe IgM të jetë negative.

Këtu e merr fjalën interpretimi laboratorik, sipas kritereve shkencore.

Për të vlerësuar ecurinë klinike të sëmundjes, përsëritet testi i IgM dhe IgG pas 3-4 javëve, për të parë nqs niveli i titrit të antikorpeve është rritur ose pakësuar.

Një rrugë tjetër transmetimi i virusit është dhe me gjak, pra nqs transfuzohet gjak nga një pacient i prekur me virusin e Nilit të një pacienti tjetër.

Nqs sëmundja shfaqet te një fëmijë bebe, që ushqehet vetëm me qumështin e nënës, atëherë duhet ekzaminuar nëna për të saktësuar rrugën e transmetimit nëpërmjet qumështit të nënës.

Kjo ndodh rrallë. Megjithatë kjo rrugë transmetimi është e konfirmuar shkencërisht.

Për përcaktimin e prekjes së organizmit nga virusi ekziston dhe metoda e PCR-së, përcaktimi me biologji molekulare i acidit nukleik të virusit. Me këtë metodë detektohet virusi që përpara shfaqjes së antikorpeve.

Meqenëse periudha më e zakonshme e shfaqjes së kësaj pathologjie lidhet me periudhën e shumëzimit dhe shfaqjes së mushkonjave, rekomandohet marrja e masave për luftën kundër tyre.

Vlen të theksohet se kjo sëmundje transmetohet nga mushkonjat e zakonshme, dhe jo nga ndonjë mushkonjë “speciale”.

You may also like