Gjykata e Tiranës, ka vendosur të mbyllë në burg Elson alias Durim Doku, i cili ishte kthyer në tmerrin e dyqaneve që ushtrojnë aktivitet tregtar në disa qendra tregtare në Tiranë.
Advertisements
Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, kërkoi caktimin e masës së “arrestit në burg”, pasi Elson Doku ishte kthyer në një vjedhës serial në Tiranë, pasi kishte përsëritur vjedhjet tek bizneset, në shumë raste.
Advertisements
Bëhet fjalë për një dëm ekonomik prej 11 milionë e 250 mijë lekë të vjetra të kryer në disa raste.
Janë 7 episode të dokumentuara nga policia, ku Doku rezulton të ketë vjedhur syze me vlerë të shtrenjtë ekonomike që variojnë në çmime nga 630 mijë lekë të vjetra deri në 3 milion e 540 mijë lekë të vjetra.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se thuajse të gjithë komisariatet e Tiranës, kishin marrë denoncime nga biznese të ndryshme për vjedhjen e sendeve, por për një kohë të gjatë nuk është arritur të identifikohet personi që agjentët e policisë e konsideronin me nofkën “Lypeni” i kryeqytetit.
Por në 1 Prill 2024, biznesmeni R.N është paraqitur në ambjentet e komisariatit Nr.1 në Tiranë, duke bërë kallëzim penal, pasi në dyqanin e tij, “Visionare” që ndodhet në një qëndër tregtare, një person kishte vjedhur një palë syze “Cartier” me vlerë 3 milion e 540 mijë lekë të vjetra.
Biznesmeni i ka paraqitur policisë pamjet filmike, ku shfaqej hajduti, duke çaktivizuar kodin elektronik dhe më pas i ka futur syzet në xhepin e brendshëm të xhupit dhe është larguar.
Vetë biznesmeni i ka treguar policisë se nga verifikimet e kryera privatisht dyshon se personi që ka vjedhur në dyqanin e tij, quhet Elson Doku dhe jeton tek zona e “Bregut të Lumit”.
I njëjti person në datën 13 Janar 2025 në të nëjtin dyqan ka vjedhur një palë syze të markës “CARTIER”, me vlerë tregu 155.000 lekë.
Sipas pamjeve filmike, ky person ka hyrë në dyqan si klient dhe duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së stafit, ka çaktivizuar sensorin e syzeve, i ka futur ato në xhep dhe është larguar.
Në dëshminë e tij biznesmeni ka treguar në periudha të ndryshme se dyshon se i njëjti person ka vjedhur syze të markave të njohura dhe në dyqane të tjera në qëndrën tregtare.
Më konkretisht:
1. Syze dielli të markës “Linda Farrow” me vlerë 143.000 lekë.
2. Syze dielli të markës “Linda Farrow” me vlerë 130.000 lekë.
3. Syze dielli të markës “Linda Farrow” me vlerë 122.500 lekë.
4. Syze dielli të markës “Linda Farrow” me vlerë 157.500 lekë.
5. Syze optike të markës “Tom Ford” me vlerë 63.000 lekë.
Pas këtij denoncimi, Policia ka konstatuar se Elson Doku është një vjedhës serial dhe është dënuar disa herë për veprën penale të “Vjedhjes”.
Hetuesit kanë arritur të lokalizojnë Dokun duke bërë dhe arrestimin e tij. Ndaj tij aktualisht është ngritur akuza e “Vjedhjes” te kryer në 7 raste.
Por policia dhe prokuroria është në pritje të denoncimeve të tjera nga qytetarët, pasi ka dyshime se Doku ka marë pjesë dhe në vjedhje të tjera.