Vrasja e 67-vjeçarit në Kurbin, identifikohet autori, policia zbardh ngjarjen

Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin.

Advertisements

Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Advertisements

Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D. T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D. M.

Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë zonën dhe po kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.