Vrasja e Gentjan Bejtjas, rrëfimi i Marklen Hakës në polici: Isha në fshat, shkova bleva lule për t’i mbjellë

by editor

Marklen Haka alias Aliu, rezulton të jetë njëri nga 8 personat e marrë në pyetje lidhur me vrasjen e Gentjan Bejtjas në 15 mars në banesën e tij në Larushk.

Marklen Haka, është një personazh i njohur i botës së krimit në Nikël, pasi është përfshirë disa herë në ngjarje kriminale dhe i ka shpëtuar një atentati të mirëorganizuar në 2019 në oborrin e shtëpisë së tij. Në këtë atentat ka mbetur i plagosur Marklen Haka, ndërsa mbeti e vrarë në derën e shtëpisë, Shpresa Basha.

Advertisements

Në dëshminë e tij lidhur me ekzekutimin e Gentjan Bejtjas, Marklen Haka, jep një detaj shumë domethënëse, pasi ka treguar në polici se para se të vritej Genti, ai së bashku me një shok dhe kushëririn e tij, ka udhëtuar me makinë së deri në fshatin Buran, të njësisë Nikël, ku ka blerë disa fidanë lulesh për t’i mbjellë në oborr.

Pas kësaj deri në momentin kur është shoqëruar në polici, Haka thotë se ka qëndruar në banesë dhe se lajmin për vrasjen e ka mësuar nga policia.

Advertisements

“…në lidhje me ngjarjen dua të shpjegoj se nuk kam dijeni dhe jam informuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas vetëm në momentin e kontrollit në banesë nga policia…” – ka deklaruar Bejtja.

Ndërkohë policia e ka pyetur Marklen Hakën nëse kishte njohje me viktimën, duke dhënë shpjegime se Gentin e njihte si banor të zonës prej vitesh.

Advertisements

“…por që nga viti 2019 nuk jam takuar me të. Takimi i fundit ka qenë një vizitë në banesën e tij, ku Gentian Bejtja disa ditë pas plagosjes ka shkuar për ngushëllim në muajin shtator 2019…” – ka treguar Marklen Haka.

Për këtë ngjarje në pyetje është marrë dhe Gazmir Saka një personazh i akuzuar për një seri vjedhjes me armë në zonën e Krujës, por ai ka deklaruar se ishte në shtëpi, pasi s’mund të lëvizë pasi ishte në masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Nga informacionet e mbledhura por edhe nga të dhënat e mara në dosjen Nr.59 të SPAK, në të cilën ka mjaft komunikime në “Sky” të Gentian Bejtjas, ka rezultuar se ai është person me precedent të mëparshëm kriminal, i hetuar, gjykuar dhe dënuar për disa vepra penale.

Gjithashtu, Bejtja ka qenë disa herë objekt sulmi me armë, për ta eliminuar fizikisht.

Kështu, nga të dhënat e bërë publike disa dite më parë, lidhur me një hetim të zhvilluar nga SPAK për dosjen Nr.59, ndër të tjera ka rezultuar ish-deputeti i PS Arben Ndoka (në kërkim), Arian Tuku, Samual Ndoka, Ervis Martinaj (person në kërkim dhe njëkohësisht i kallëzuar si humbur nga familjaret e tij), Jozi Kraja (në kërkim) Astrit Avdyli, Aldo Avdyli, Arben Mërkuri (i vrarë), Elvis Ndreca, Naim Stafuka, Emiljano Shullazi (në burg), Blerim Abazi (arrestuar), Gjin Ndoj, Marklen Haka (në kërkim) dhe Gentjan Bejtja i vrarë në datë 15 mars 2024, gjatë vitit 2020, kanë ndërmarrë veprime konkrete, duke siguruar kushte dhe mjetet materiale, për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Nga këto të dhëna del që Gentjan Bejtja, ka patur rol aktiv, për sigurimin e informacioneve për lokalizimin, vëzhgimin e vëllezërve Bami, dhe strehimin e automjeteve dhe personave që do të kryenin ekzekutimin e tyre./Ora News

You may also like