Gjykata e Posaçme pranoi të martën më 15 tetor kërkesën e bërë për herë të dytë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për pushimin e hetimeve ndaj krerëve të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj, lidhur me vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005, i ekzekutuar me lëndë plasëse në ashensorin e pallatit ku banonte në Tiranë bashkë me mikun e tij, Artan Arsi. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Rudina Palloj pas shqyrtimit të kërkesës së depozituar nga prokurorët e SPAK, Alfred Shehu dhe Alida Kaçkini.
Advertisements
SPAK rihapi hetimet për vrasjen e Lamajt dhe Arsit dhe në vitin 2020 regjistroi në procedimin penal ndaj personave të dyshuar, Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha, Plaurent Derivshaj, Indrit Taullai dhe L.Reçi.Pas më shumë se tre vjet hetimesh, SPAK arriti në përfundimin se Berisha dhe Dervishaj nuk kishin lidhje me vrasjen e Lamajt dhe Arsit, e për rrjedhojë e ndau çështjen dhe kërkoi para katër muajve pushimin e hetimeve ndaj dy të dyshuarve. Gjyqtarja Palloj vendosi atëherë të mos e pranojë kërkesën e SPAK dhe urdhëroi kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Megjithatë, edhe pas kryerjet se hetimeve shtesë, SPAK kërkoi pushimin e çështjes për Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishajn.
Advertisements
E pyetur nga BIRN, prokurorja Elida Kaçkini tha se pas kyerjes së hetimeve nuk u provua dijenia dhe pjesëmarrja e Lulzim Berishës dhe e Plaurent Dervishajt në këtë ngjarje të ndodhur në vitin 2005, e për rrjedhojë është kërkuar pushimi i çështjes. Të martën, gjyqtarja Palloj ka arritur në të njëjtin përfundim me prokurorët Shehu e Kaçkini dhe pranoi kërkesën e tyre.
Çështja për vrasjen e Lamajt dhe Arsit po gjykohet me të pandehur Emiljano Shullazin, Indrit Taullain, Viktor Bajraktarin(Ymeri), Indrit Rusin dhe L. Reçin. Në të njëjtën çështje po gjykohet edhe vrasja e Klodian Saliut, por nga kjo akuzë përjashtohen Shullazi dhe Bajraktari.
Advertisements
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Mbajtje pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Lulzim Berisha u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare në dhjetor të vitit të kaluar në Alicante të Spanjës, ndërsa Plaurent Dervishaj u deportua në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe në gusht të këtij viti./reporter